Vendosni fjalën kyçe....

Kroacia nis epokën e re të euros dhe zonës “Shengen”


Kroacia po hyn në një vit historik pasi i bashkohet zonës pa viza të të BE-së, Shengen dhe po heq monedhën e saj, kunën, duke adoptuar euron.

Ky vend u angazhua për t’u bashkuar me eurozonën kur u bë anëtari më i ri i BE-së në vitin 2013.

Partitë nacionaliste donin të mbanin kunën, por u rrëzuan nga gjykata kushtetuese. Tanimë, Kroacia është vendi i njëzet e shtatë, shtetasit e të cilit mund të lëvizin lirshëm brenda zonës Shengen.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i përshëndeti ndryshimet si “dy arritje të jashtëzakonshme” për shtetin më të ri anëtar të BE-së.

Ajo tha se 1 janari, kur zyrtarisht ndodhën ndryshimet do të ishte një ditë “për librat e historisë”.

Mbi të gjitha, ky do të ishte një moment “gëzimi dhe krenarie për popullin kroat“.

“Është dëshmi e udhëtimit tuaj të mahnitshëm, punës tuaj të palodhur dhe vendosmërisë suaj.”– tha ajo, citon BBC.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, tha të dielën se vendi i tij kishte “arritur qëllimet e tij strategjike, shtetërore dhe politike” nga dy ndryshimet historike.

Ai po fliste në një ceremoni në pikën kufitare të Breganës me Slloveninë fqinje, ku pasaportat nuk do të kontrollohen më në mënyrë rutinore.

Plenkoviç tha se anëtarësimi në Shengen do të “do të thoshte shumë për Kroacinë si një vend turistik, i cili është në një masë të madhe një destinacion ku turistët udhëtojnë me makinë”.

Ai shtoi se “fakti që do të jemi edhe në eurozonë jep një sinjal tjetër për të gjithë ata që vizitojnë Kroacinë”.

Hyrja e Kroacisë në zonën Shengen pritet të nxisë industrinë e saj të turizmit, e cila përbën 20% të PBB-së së saj dhe mirëpret miliona vizitorë çdo vit.