Vendosni fjalën kyçe....

Putin ndalon eksportin për vendet që vendosën çmim tavan për naftën ruse


Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që ndalon furnizimin me naftë të papërpunuar ruse për kompanitë dhe qytetarët e huaj që respektojnë kufirin e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi të vendosur nga aleatët perëndimor, i miratuar më 2 dhjetor.

Qeveritë perëndimore po synojnë kufizimin e çmimit të eksporteve të naftës ruse, si përpjekje për të kufizuar të ardhurat nga karburantet që e mbështesin buxhetin e Moskës, ushtrinë e saj dhe pushtimin e Ukrainës.

Ndalimi do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt dhe do të mbeten në fuqi deri më 1 korrik, sipas dekretit të nënshkruar nga Putin më 27 dhjetor.

Dekreti nuk vlen vetëm për naftën, por edhe për produktet e naftës, megjithatë Qeveria do të përcaktojë veçmas datën nga e cila do të ndalohet shitja e këtyre produkteve me çmimin tavan.

Dekreti, i publikuar në një portal qeveritar dhe në faqen e internetit të Kremlinit, u prezantua si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj “veprimeve që janë jomiqësore dhe kundërshtuese me të drejtën ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare që u bashkohen atyre”.

Dekreti thotë se dërgesat e naftës dhe produkteve të naftës ruse për subjektet dhe individët e huaj “janë të ndaluara, me kusht që në kontratat për këto furnizime, të parashikohet drejtpërdrejt ose indirekt përdorimi i një mekanizmi maksimal të fiksimit të çmimit”.

Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-ës (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.

Qëllimi është që të dëmtohen financat e Moskës duke shmangur një rritje të shpejtë të çmimit të naftës, krahasueshëm me atë nëse nafta ruse do të hiqej papritur nga tregu global.

Kjo masë ua ndalon shteteve që të paguajnë më shumë se çmimi tavan për një fuçi – 60 dollarë – për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.

Në fillim të dhjetorit Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që ta mbështeste këtë masë.