Vendosni fjalën kyçe....

Serbia do trefishojë forcat speciale në ushtri


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar rritjen e numrit të trupave brenda Forcave Speciale të vendit nga 1,500 në 5,000, tha të hënën ministri i Mbrojtjes, Milos Vuçeviç. Forca pritet të formohet deri në fund të vitit 2023, shtoi ai.

Ushtria e Serbisë do ketë ‘5000 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë shumë të stërvitur e të përgatitur mirë, të cilët do të kenë kryer stërvitjet më moderne, të përditësuara e do kenë armë e pajisje ushtarake të teknologjisë së lartë’, ka thënë Vuçeviç në një postim në Instagram.

Forca e re do ishte ‘grushti më i fortë që do copëtonte qëllimet dhe planet  dashakeqe të atyre që nuk e duan kombin tonë dhe duan të dëmtojnë popullin tonë’, tha ministri, duke shtuar se Forcat Speciale të reformuara do ishin të gatshme për të përmbushur çdo detyrë në çdo pjesë të vendit në çdo kohë, dhe për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave me të cilat përballet vendi.

Njoftimi vjen pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku serbët e vendit kanë vendosur barrikada prej më shumë se dy javësh në rrugë, duke bllokuar qarkullimin e lirshëm në zonat veriore e drejt pikafe kufitare.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kanë akuzuar Beogradin për tensionet në veri duke thënë se ish-ministri i Sllobodan Millosheviçit kërkon të rikthejë trazirat në Kosovë e rajon.

Më herët të hënën, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia thuhet se kërkuan që Beogradi të sigurojë që serbët e Kosovës të heqin barrikadat brenda 24 orëve.