Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet kibernetike/ Gjykata e Apelit heq masat e sigurisë për 5 punonjësit e IT-së në DAP


Gjykata e Apelit e Tiranës ka hequr sot masat e sigurisë për pesë punonjësit në sektorin e IT-së (Teknologjisë së Informacionit) të Ministrisë së Brendshme dhe Departamentit të Administratës Publike, që akuzohen për shpërdorim detyre.

Rreth një muaj më parë, prokuroria firmosi 5 urdhër arreste në vendin tonë në lidhje me sulmet kibernetike nga Irani, që bllokuan të gjitha faqet zyrtare shtetërore.

5 punonjësit e IT-së që ishin arrestuar, tani janë në masën e sigurisë, “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

“Referuar raportimeve te mëparshme ne media, lidhur me procedimin penal për sulmin kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen e menaxhohen nga AKSHI, mbi kërkesat e prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj personave nën hetim Znj. A. S., Z. I. L., Znj. R. Ll., Z. A. S. masën e sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si të dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”

Mbi ankimet e personave nën hetim të sipërcituar, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtari Z. Genti Shala, me vendimet respektive të datës 22.12.2022, vendosi të shfuqizojë vendimet e marra nga gjykata e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurimit.”– thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike, që bllokuan të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.

Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.

Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja, Albi Gjeka, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për situatën e sigurisë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.