Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje deputetëve: Hidhni poshtë projektin mafioz të amnistisë fiskale


Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediet nga selia blu, ku ka kundërshtuar projektin e amnistisë fiskale.

Kryedemokrati akuzon kryeministrin Edi Rama se ai po sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale.

“Edi Rama u servir shqiptarëve çdo ditë, në qëndrime, vendime dhe ligje, interesat e krimit, mafias dhe të klanit të tij personal.

Duke bërë avokatinë e këtyre interesave, Edi Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e tyre.

Në kundërshtim flagrant me interesa të çdo qytetari shqiptar, dhe për llogari të klanit të tij mafioz dhe të krimit të organizuar shqiptar, ai sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, çka do të thotë një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.

Çfarë do të thotë, një proces gjigant dhe i paparë ndonjëherë i larjes së parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria.

Çka do të thotë fuqizim i madh i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare në rajon, në Europë dhe në botë.

Çka do të thotë, injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence, një goditje fatale për biznesin e ndershëm shqiptar.”– tha Berisha.

Sipas tij, amnistia fiskale do rrënojë efektet e garës së hapur dhe të ndershme.

“Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe këtë projekt me të cilin Edi Rama, për interesa të klanit të tij mafioz kërkon të kriminalizojë ekonominë shqiptare, kërkon të rrënojë të gjitha efektet e garës së hapur dhe të ndershme, kërkon të godasë ata, të cilët kanë ndërtuar bizneset jo mbi krimin, drogën, vrasjet, trafiqet, por mbi mendjen, djersën, ndershmërinë dhe integritetin e tyre.

Ky insistim i tij është një ndëshkim i vërtetë për mbarë shqiptarët, është një goditje e rëndë për perspektivën evropiane të shqiptarëve.”- tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje deputetëve ta hedhin poshtë dhe mos ta votojnë këtë projekt.

 “Çdo deputet që merr përsipër të votojë një akt të tillë kriminal, direkt apo indirekt bëhet anëtar i një organizate kriminale që Europa nuk e ka parë ndonjëherë.

Ndaj dhe thirrja ime është: për çdo parlamentar, të hedhë poshtë me përçmim dhe neveri, si tepër të rrezikshëm për sigurinë e vendit, për të ardhmen e Shqipërisë, projektin famëzi të amnistisë fiskale të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz.”- përfundoi kryetari i PD-së.