Vendosni fjalën kyçe....

Një grua e plagosur në aksidentin ku u përfshi makina e eskortës së Albin Kurtit


Një grua ka mbetur e plagosur në aksidentin e mbrëmjes së kaluar në rrugën për në Gjilan, ku u përfshi dhe një nga veturat e eskortës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Policia e Kosovës ka informuar përmes raportit 24 orësh se aksidenti ka nodhur rreth orës 18:37, ku një automjet për shkak të pakujdesisë është përplasur me mjetin zyrtar, dhe një grua është plagosur.

“Gjilan 11.12.2022, 18:37.​Është raportuar për një aksident trafiku ku janë përfshirë një veturë civile dhe një veturë zyrtare, pasi që dyshohet se vetura civile nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore ka pësuar dyshuara dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është liruar në shtëpi.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Mbrëmjen e kaluar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se nuk kishte pasur të lënduar në këtë aksident.

“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej Kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident.”– shprehej Kryeziu, por mesa duket nuk paska qenë kështu.