Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi kujton Klodian Rashën: U ekzekutua nga Policia e “Rilindjes” pa asnjë shkak, Rama armiku kryesor i lirisë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kujtuar vrasjen e Klodian Rashës të ndodhur si sot dy vite më parë në Tiranë.

Blushi shkruan se Rasha humbi jetën si shumë të rinj të tjerë nga dhuna e “banditëve të policisë”.

Në postimin e tij në “Facebook”, Blushi ngre akuza ndaj kryeministrit Edi Rama të cilin e konsideron si armikun kryesor të lirisë dhe të drejtave të të rinjve shqiptarë.

“Sot në Ditën e Rinisë, nderojmë kujtimin e të ndjerit Klodian Rasha, i ekzekutuar si sot dy vite më parë nga Policia e ‘Rilindjes’, pa asnjë shkak, si shumë të rinj të tjerë që kanë humbur jetën nga banditë me uniformë të këtij regjimi kriminal që të vetmin vizion për rininë ka shtypjen, dhunën dhe dëbimin nga Shqipëria.

Edi Rama është sot armiku kryesor i lirisë dhe të drejtave të të rinjve shqiptarë, autori i vrasjes së shpresave të tyre, ideatori dhe zbatuesi i platformës më antikombëtare të shpopullimit të vendit nga mijëra djem dhe vajza të kualifikuar, që detyrohen të braktisin Shqipërinë duke rrezikuar edhe jetën për të kaluar La Manshin me gomone.

Të rinjtë duhet të marrin në dorë fatet e tyre për t’i treguar vendin bandës së ‘Rilindjes’!

Shqipëria u përket të rinjve dhe Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka për ta bërë këtë realitet!”- shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.

I riu Klodian Rasha u vra si sot dy vite më parë nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj i cili e qëlloi me armë zjarri në shpinë ndërsa e ndiqte pasi kishte shkelur rregullat duke dalë jashtë orarit të vendosur në kohën e Pandemisë.

Klodian Rasha