Vendosni fjalën kyçe....

Situatë e tensionuar dhe shpërthime në Veri të Kosovës


Dy shpërthime janë raportuar të kenë ndodhur pasditen e sotme në Veri të Kosovës, në komuna të banuara me shumicë serbe.

Fillimisht janë raportuar disa incidente në Mitrovicën e Veriut, ku është djegur tërësisht një objekt ku po punonte Komisioni Komunal i Zgjedhjeve. Pas shpërthimeve, forca të shtuara të Policisë u vendosën mbi urën e Ibrit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

 “Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve.”– ka thënë Policia.

Portali KoSsev ka raportuar për një incident që dyshohet të ketë ndodhur sot edhe në Komunën e Zubin Potokut. Siç raporton ky medium, disa qytetarë serbë janë mbledhur para objektit të komunës dhe kanë penguar disa zyrtarë të komisioneve komunale zgjedhore që të futen brenda objektit.

 

 

Pas incidenteve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Express ka treguar se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve kanë shkuar në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, por s’kanë arritur të ushtrojnë detyrën e tyre zyrtare.

 “Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00.”- ka thënë Elezi.