Vendosni fjalën kyçe....

Indonezia miraton ligjin që ndalon seksin jashtë martesës


Parlamenti i Indonezisë ka miratuar një kod të ri penal që ndalon këdo në vend të kryejë seks jashtëmartesor dhe kufizon liritë politike.

Sipas ligjeve të reja, të cilat hyjnë në fuqi pas tre vjetësh, seksi jashtë martese do të ketë një dënim deri në një vit.

Siç shkruan BBC, kjo mori ndryshimesh vjen pas një rritjeje të konservatorizmit fetar në vendin me shumicë myslimane.

Kritikët i shohin ligjet si një “katastrofë” për të drejtat e njeriut dhe një goditje të mundshme për turizmin dhe investimet.

Disa grupe kryesisht të rinjsh protestuan kundër legjislacionit jashtë parlamentit në Xhakartë këtë javë. Pritet që ligjet e reja të kundërshtohen në gjykatë.

Ato zbatohen në mënyrë të barabartë për vendasit dhe për të huajt që jetojnë në Indonezi, ose që vizitojnë destinacionet e pushimeve si Bali. Sipas ligjeve, çiftet e pamartuara që kapen duke bërë seks mund të dënohen me burg deri në një vit.

Ata gjithashtu janë të ndaluar të jetojnë së bashku – një akt për të cilin njerëzit mund të burgosen deri në gjashtë muaj. Tradhtia bashkëshortore do të jetë gjithashtu një shkelje për të cilën njerëzit mund të burgosen.

Seksi para martesës ishte tashmë i ndaluar përpara miratimit të këtij kodi të ri penal, por ligji shpesh nuk zbatohej.

Ligji i vjetër e përkufizonte tradhtinë bashkëshortore si seks midis një burri të martuar dhe dikujt që nuk ishte gruaja e tij, ndërsa ligji i ri ndalon çdo seks jashtë martesës, duke përfshirë edhe çiftet e pamartuara. Edhe dënimi për të kapurit është rritur nga nëntë muaj në një vit.