Vendosni fjalën kyçe....

Goditja me grusht e Berishës, mesazhi për liderët e BE-së e shqiptarët, gjithçka ndodhi në protestën e opozitës (Foto/Video)


Një ngjarje e rëndë ndodhi në fillim të protestës së opozitës në bulevard, ku një 31-vjeçar i identifikuar si Gentian (Gert) Shehu goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha.

Episodi i rëndë ndodhi teksa kreu i PD-së Berisha po marshonte me kreun e Partisë së Lirisë Meta e qytetarë të shumtë në bulevardin para ish-Hotel Dajtit.

Befas nga turma shkëputet një person me xhup të kuq i cili goditi me grusht kryedemokratin duke bërë që ai të humbë ekuilibrin.

Në çast rojet e kreut të PD-së e disa qytetarë ndërhynë duke ndaluar e goditur 31-vjeçarin i cili u shoqërua më pas duke iu dorëzuar policisë. Autori Gentian Shehu u dërgua më pas në Spitalin e Traumës, ndërsa deri tani nuk ka dhënë asnjë deklaratë para policisë.

Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha, akuzoi kryeministrin Rama si drejtuesin e një narkoshteti të cilin e drejton përmes bashkëpunimit me krimin e organizuar e narkotrafikantët.

Ai iu drejtua liderëve evropianë që marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndomor në Tiranë se personi që është ulur në tavolinë me ta dhe që përfaqëson Shqipërinë është drejtuesi i një qeverie mafioze.

Berisha akuzoi kryeministrin Rama gjatë fjalës së tij për vjedhjen e votave, për dhunimin e grabitjen e qytetarëve, për përzënien e të rinjve, për pastrim parash të krimit të organzizuar e narkotrafikut përmes koncesioneve e projekteve duke përmendur atë të Portit të Durrësit e çështjen e inceneratorëve.

Kreu i PD-së shigjetoi edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim e atë britanik Alastair King-Smith se janë pjesë e rrjetit të Edi Ramës dhe se sillen në Shqipëri në shkelje të plotë të ligjeve e konventave ndërkombëtare. Berisha tha se Rama ka korruptuar gjithçka e këdo dhe se me lekët e krimit nuk ngurron të paguajë deklarata nga media e politikanë të huaj kundër opozitës e kundërshtarëe të tij politikë.

Ai u bëri thirrje meduiave evropiane e amerikane që të hetojnë qeverinë e Edi Ramës për të zbuluar atë që po ndodh në Shqipëri, duke përmendur si shembull investigimin e medias gjermane Bild për zgjedhjet lokale në Dibër.

Në fund të fjalë së tij, Berisha tha se asgjë nuk do e mposhtë opozitën e misionin e saj për të shpëtuar vendin nga regjimi kriminal i kryeministrit Rama. Të njëjtin mesazh e dha ai edhe para selisë së PD-së, pak çaste pas largimit nga protesta.

Kreu i Partisë së Lirisë Meta foli shkurt në protestë dukë thënë se koha e fjalëve ndaj pjellës më bastarde e tradhëtarit Edi Rama ka pëfunduar dhe se tani duhet aksion i mirëfilltë.

Protesta nisi me mbledhjen e mijëra qytetarëve nga Tirana e qytetet e vendit që iu përgjigjën thirrjes së opozitës teksa qindra metra më tej zhvillohej samiti BE-Ballkani Perëndimor.

I gjithë bulevardi, me përjashtim të pjesës para ish-Hotel Dajtit ishte bllokuar nga policia, e cila kishte lajmëruar se nuk do e lejonte marshimin drejt kryeministrisë duke e rrethuar atë, bashkë me disa rrugë në kryeqytet, si pjesë e perimetrit të sigurisë për samitin.

Protesta e paralajmëruar nga opozita ka provokuar debat ditët e fundit mes palëve politike, me kryeministrin Rama, ministra e deputetë të tij që akuzuan opozitën se punon kundër interesave të vendit e se prish imazhin e Shqipërisë para liderëve të BE-së.

Ndërsa opozita u është përgjigjur akuzave duke theksuar se protesta është kundër qeverisë mafioze e narkoshtetit të Edi Ramës.