Vendosni fjalën kyçe....

Shkatërrohet grupi kriminal në Spanjë, 5 shqiptarë në pranga


Goditet një grup kriminal me origjinë shqiptare me bazë në Granada të Spanjës.

Në operacionin e koduar “Romina” sipas medieve spanjolle, agjentët e Policisë kanë arrestuar gjashtë persona, pesë prej tyre me origjinë shqiptare dhe një spanjoll.

Agjentët thuhet se kanë kryer katër kontrolle në shtëpitë dhe fermat ku vepronte banda në fjalë, duke sekuestruar më shumë se 11 mijë euro, 160 kilogramë marihuanë, 10 kilogramë polen hashash, 350 bimë marihuanë, një kallash, armë të ndryshme të së njëjtës natyrë, municione, një pistoletë me tre karikues dhe një silenciator, si dhe gjashtë automjete.

Të arrestuarit i janë dorëzuar tashmë organit gjyqësor, i cili ka urdhëruar lënien në burg të tre prej tyre.

Hetimi thuhet se kishte nisur disa muaj më parë. Rezultati i këtyre hetimeve policore ishte identifikimi i anëtarëve të supozuar të organizatës dhe vendndodhjeve të ndryshme ku ata kryenin aktivitetet e paligjshme rreth trafikut ndërkombëtar të drogës në shkallë të gjerë. Në të njëjtën mënyrë, u bë e mundur të verifikohej shpërndarja e roleve të anëtarëve të grupit dhe struktura e tij.

Organizata thuhet se kishte mjete të sofistikuara si sisteme video survejimi, masa sigurie, si dhe armë të ndryshme, duke përfshirë edhe artikuj që konsideroheshin armë lufte.