Vendosni fjalën kyçe....

Irfan Hysenbelliu për shembjen e “Prestige Resort”: Hakmarrje mediatike dhe personale e Ramës


Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu, e ka quajtur shembjen e “Prestige Resort” hakmarrje jo vetëm mediatike, por edhe personale ndaj tij e kryeministrit Edi Rama.

“Unë jam i qartë. Gjithçka që ka ndodhur. E njoh shumë mirë trurin e Ramës. E njoh prej kohësh, kemi qëndruar bashkë shpesh. Unë u prononcova tani. Ai bëri një zgjedhje ekstreme. Nuk është vetëm hakmarrje mediatike por edhe personale.”- tha ai.

Hysenbelliu deklaroi se duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të, infrastrukturën kryeministri Rama e mori këtë vendim së bashku me zëvendëskryeministren Balluku.

“Më vjen keq për Dallëndyshe Bicin që më njeh shumë mirë dhe kemi folur shpesh në telefon. Kryeministri vetë vinte dhe jepte mendime duke zgjedhur arkitektin e projektit. Për të gjitha godinat bashkia e Kavajës merrte taksë, tatimet gjithashtu, punëtorët i kemi pasur të gjithë me sigurime. Pse nuk i bëri këto veprime në shtator kryeministri? Ai vajti dhe i çoi njerëzit barbarisht në mes të pushuesve dhe dha një sinjal.

Duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të, infrastrukturën, energjinë ky veprim është i akorduar mes zonjës Balluku dhe Ramës. Kemi informacione që janë afër njëri-tjetrit për të organizuar këtë aksion. Për Ballukun dua të them një gjë, që ishte aq e zjarrtë me të gjitha institucionet që ka ajo. Rama e hedh firmën i fundit. Ai ka kapur çdo lloj drejtësie, gjyqtarët janë të terrorizuar.

Më vjen shumë keq për këtë veprim që e shohin shqiptarët, nuk më ka ndodhur të më shkruajnë kaq shumë që janë në krahun tim. Kjo nuk është mirë për investitorët e huaj. Nuk është debati i parë, Rama ka bërë një luftë të paparë me mua kur ka ardhur në pushtet. Vinte te universiteti “Luarasi” dhe çonte gjithë policinë. Pse e ndryshon kursin Edi Rama? Sepse kërkon vijën editoriale. Familja ime është e prekur kur e sheh dhe unë i kam dhënë kurajo.

Edhe në kohën e Enver Hoxhës njerëzit flisnin, sot ai i ka terrorizuar. Sot ka investitorët që kanë frikë të marrin në telefon se janë të terrorizuar.”- tha Hysenbelliu.

Në intervistë biznesmeni u shpreh i zhgënjyer me mënyrën se si funksionojnë gjërat në Shqipëri dhe tha se fëmijët e tij i ka këshilluar të largohen nga vendi, megjithatë vetë ka zgjedhur të qëndrojë këtu.

“Unë do vazhdoj këtu, fëmijët e mi erdhën këtu dhe kanë marrë një vendim që ata duan të investojnë bashkë me mua, por unë u them të ikin nga ky vend dhe të investojnë në vende të tjera. Me një njeri të tillë nuk mund të shkojë vendi para.”- tha Hysenbelliu.