Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për prodhim dhe trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Korçë


Policia e Korçës ka arrestuar së fundmi një prej shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë “Knock Down 2”, duke çuar totalin e të ndaluarve për këtë rast në 27.

Raportohet se autoritetet arrestuan shtetasin Gentian Koçoli, pasi 39-vjeçari akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim, ndërsa mbeten ende në kërkim 8 persona në lidhje me çështjen.

Në vijim të punës për vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë “Knock down 2”, të finalizuar më datë 28.10.2022, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Korçë bënë ndalimin e shtetasit në kërkim Gentian Koçoli, 39 vjeç, banues në Korçë.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.