Vendosni fjalën kyçe....

Fitorja e Zvicrës ndaj Serbisë festohet deri në orët e para të mëngjesit në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Zvicër, mijëra derdhen rrugëve (Video)


Fitorja e Zvicrës ndaj Serbisë, ku protagonistë ishin edhe dy lojtarët me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, është festuar në mënyrë të çmendur në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Mijëra qytetarë e qindra makina janë derdhur rrugëve sidomos në Kosovë, ku fitorja është festuar më së shumti.

Në Tiranë qytetarët festuan në Sheshin Skënderbej ku po ndiqnin ndeshjen, ndërsa në Kosovë e disa qytete të Maqedonisë së Veriut, qytetarët kanë dalë rrugëve deri në orët e para të mëngjesit.

Sfida e nxehtë përfundoi 3-2 për Zvicrën, duke i dhënë ekipit helvet biletën e kualifikimit për në 1/8-at e Botërorit ku do ndeshet me Portugalinë më 6 dhjetor.

Në minutat e fundit të ndeshjes pati një episod dhune në fushë, ku katër lojtarë serbë iu vërsulën lojtarit me origjinë shqiptare të Zvicrës, Granit Xhaka, tensione që zgjatën disa minuta.

 

Ndërkohë gjatë ndeshjes pati edhe një episod tjetër, ku trajneri serb i Serbisë Stojkoviç u kap nga kamerat duke sharë lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës shkruan se pret që FIFA ta hetojë rastin e të marrë masa.

“Racizmi i Stojkoviçit të Serbisë u kap drejtpërdrejt në kamera duke sharë nënat kosovare dhe shqiptare. Jemi në pritje që FIFA të veprojë për këtë akt të turpshëm.” – shkruan ajo.