Vendosni fjalën kyçe....

BE kërcënon Twitter-in: Zbato rregullat ose do bllokohesh në Evropë


BE-ja ka kërcënuar Twitter-in e Elon Musk me një bllokim në Evropë nëse miliarderi nuk respekton rregullat strikte për moderimin e përmbajtjes, duke krijuar një betejë rregullatore mbi të ardhmen e rrjetit social.

Thierry Breton, komisioneri i BE-së i ngarkuar për zbatimin e rregullave digjitale të bllokut, e bëri kërcënimin gjatë një takimi në distancë me Musk të mërkurën, raporton Financial Times.

Breton i tha Musk se duhet t’i përmbahet një liste kontrolli rregullash, duke përfshirë heqjen e një qasjeje “arbitrare” për rikthimin e përdoruesve të ndaluar, luftimin e dezinformimit “në mënyrë agresive” dhe duke rënë dakord për një “auditim të gjerë të pavarur” të platformës deri vitin e ardhshëm.

Musk u paralajmërua se nëse nuk do t’u përmbahej këtyre rregullave, Twitter rrezikonte të shkelte Aktin e ri të Shërbimeve Digjitale të BE-së, një ligj që përcakton standardin global se si “gjigandët teknologjikë” duhet të kontrollojë përmbajtjen në internet. Breton përsëriti se nëse ligji shkelet, Twitter-i mund të përballet me një ndalim në mbarë Evropën ose gjoba deri në 6 për qind të xhiros së përgjithshme .

Pronari i Twitter tha në mënyrë të përsëritur se ai mendonte se akti ishte “shumë i arsyeshëm”, sipas njerëzve të informuar mbi bisedën, duke shtuar se ai e kishte lexuar legjislacionin dhe mendonte se duhet të zbatohej kudo në botë.

Megjithatë, masat e propozuara të BE-së duket se janë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj qasjes që Musk, se ai do të lejonte të gjithë përmbajtjet në platformë për sa kohë që ishte e ligjshme. edhe pse “gjuha negative apo e urrejtjes” do t’i kufizohej shpërndarja.

Musk, ka thënë më parë se Twitter do t’i përmbahet të gjitha ligjeve përkatëse.

Ndër kërkesat e BE-së është që Musk të sigurojë kritere të qarta mbi të cilat përdoruesit rrezikohen të ndalohen. Musk ka rikthyer llogarinë e Donald Trump pasi ka mbajtur një sondazh me përdoruesit nëse ish-presidenti amerikan duhet të lejohet të kthehet në rrjet.

Llogari të tjera të diskutueshme duke përfshirë Kanye West, i cili u ndalua për komente antisemitike dhe Andrew Tate, i ndaluar për përmbajtje mizogjene, janë ftuar të rikthehen në Twitter. Të gjithë vijojnë të mbeten të bllokuar nga platformat rivale Facebook dhe Instagram.

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë shprehur shqetësimin nëse Twitter ka staf të mjaftueshëm për t’iu përmbajtur rregullave të reja pasi Musk pushoi më shumë se gjysmën e 7,500 fuqisë punëtore këtë muaj.

Breton gjithashtu i bëri thirrje Musk që të zbatojë rregulla strikte kur bëhet fjalë për reklamat, duke përfshirë ndalimin e atyre që synojnë të arrijnë te fëmijët. Këto masa janë në përputhje me rregullat e reja digjitale të BE-së që do të zbatohen nga fillimi i vitit të ardhshëm.

BE-ja dëshiron gjithashtu që Twitter të angazhohet për një auditim deri në verën e vitit të ardhshëm, kur kompania duhet të dorëzojë informacione, të tilla si numri i përdoruesve aktivë dhe llogaritë e bllokuara.

Një ditë pas përfundimit të blerjes prej 44 miliardë dollarësh, Musk tha se do të caktonte një “këshill të pavarur” me të cilin do të konsultohej përpara se çdo llogari e ndaluar të rikthehej.

Por javën e kaluar, në një përgjigje ndaj një postimi në Twitter duke cituar këtë koment, Musk tha: “Një koalicion i madh grupesh aktiviste politike/sociale ranë dakord të mos përpiqeshin të vrisnin Twitter-in duke na uritur nga të ardhurat nga reklamat nëse unë pranoja këtë kusht. Ata thyen marreveshje.”

Twitter gjithashtu ka hequr së fundi politikat e tij për dezinformimin e Covid dhe nuk po merr më masa kundër përmbajtjeve që më parë kanë shkelur rregullat.