Vendosni fjalën kyçe....

Dija jofunksionale dhe ngërçi i integrimeve


Edhe pse në testimet e fundit në PISA vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë një përmirësim inkurajues në krahasim me  rezultatet paraprake, përsëri  qëndrojnë shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe  vendet e OECD. Një numër i konsiderueshëm i nxënësve të vendeve të rajonit janë peng i dijes jofunksionale, dijes që mund ta riprodhojnë në suaza të përsëritjes të asaj që e mësojnë fjalëpërfjalshëm,  por që nuk arrin të formësohet në dija konceptuale dhe funksionale, gjë e cila do t’iu mundësonte të përfshihen në jetën shoqërore dhe ekonomike.

Nga Lorik Idrizi

Kthesa e mijëvjeçarit të ri paraqet një kthesë në periudhën e  stabilitetit dhe progresit socio- ekonomik në Evropën Lindore. Shumë nga këto vende janë në pozitat më të volitshme të rrugëtimit të tyre historike, si në progresin  shoqëror ashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe rrjedhimisht kjo pozitë ua ka mundësuar edhe anëtarësimin e natyrshëm në Bashkimin Europian.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në mënyrë kaq të natyrshme me vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat kanë pasur shumë vështirësi si në periudhën e tranzicionit , njësoj edhe në procesin e integrimeve dhe arritjen e standardeve të BE. Indikatori i parë që e shfaq këtë trend është GDP– ja per capita ( Bruto Prodhimi  Brendshëm për kokë banori), e cila është shumë më e ulët nga vendet e Evropës Lindore dhe sidomos asaj qendrore.  Po ashtu qëndron edhe shumë më poshtë edhe nga mesatarja e GDP- së të vendeve anëtare të Organizatës Ekonomike për Bashkëpunim  dhe Zhvillim OECD[1].

GDP-ja për kokë banori në rajon krahasuar me mesataren e BE-së

Indeksi tjetër që e shfaq ngërçin zhvillimor të këtij rajoni është edhe shkalla papunësisë tek popullata  e re, që është shumë më i lartë në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, vende të cilat, shtete e Ballkanit Perëndimor i kanë si modele kornizë për zhvillim shoqëror, që realisht do ua mundësonte edhe integrimin e plotë si rajon në Bashkimin Europian.

Pas dimensionit ekonomik dhe mirëqenies sociale arsimi është një shtyllë qendrore e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për reforma rajonale, duke marrë parasysh se dija konceptuale dhe njerëzit me aftësi profesionale  do jenë vendimtarë për ndërtimin e ekonomive dinamike dhe shoqërive funksionale.

Ballkani Perëndimor ka arritur një nivel  pothuajse universale në arsimin fillor dhe të mesëm, por qëndron më dobët në përqindjet e pjesëmarrjes së pjesës së dytë të arsimit të mesëm dhe atij të  lartë, të cilat  janë nën standardet e BE-së dhe cilësia mësimxënies është një shqetësim në rritje.[2]

Për t’iu kundërpërgjigjur këtij trendi vendet e rajonit kanë marrë masa përkatëse. Ato kanë filluar të miratojnë kurrikula të reja përkatëse me standarde profesionale në sistemet e tyre arsimore, duke krijuar korniza (Testimet Pisa[3]) të reja evaluimi me qëllim që të tentohet modernizimi i sistemit të mësimdhënies që të rinjtë të marrin shkathtësitë e duhura për t’u zhvilluar dhe të jenë të gatshëm për vazhdimin e shkollimit apo për të qenë të gatshëm për tregun e punës. Megjithatë, këto reforma, megjithëse ndonjëherë kontribuojnë në përmirësimin e përgjithshëm, nuk po përfitojnë të gjithë grupet e popullsisë në mënyrë të barabartë dhe një pjesë e madhe e nxënësve vazhdojnë të lënë shkollën pa zotërim të dijeve bazike. Adresimi i këtyre sfidave do të jetë vendimtar për zhvillimin e ekonomisë rajonit , prosperitetit social dhe më në fundit  integrimin në Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrja në testimet PISA

Testimet PISA janë një testim trevjeçar që realizohen me nxënësit 15-vjeçarë në mbarë botën. Ky testim vlerëson shkallën në të cilën ata kanë marrë njohuritë dhe aftësitë në lexim, matematikë dhe shkencë që janë thelbësore për pjesëmarrje e  tyre të plotë në jetën sociale dhe ekonomike. Vlerësimet e PISA-s nuk konstatojnë vetëm nëse nxënësit mund ta riprodhojnë dijen të cilën e kanë mësuar, por konstatojnë se atë lloj dije të fituar a mund ta funksionalizojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike . [4] Nëpërmjet pyetësorëve dhe testimeve, PISA grumbullon informacione rreth konteksteve arsimore dhe substancës autentike të modeleve të dijes në vendet  përkatëse, të cilat, kur analizohen, krahas performancës së nxënësve, japin fakte  të dobishme për rrjedhën  në mësimin e nxënësve në mbarë botën.

Testimet Pisa në Ballkanin Perëndimor

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në testimin e fundit PISA në vitin 2018 . Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën pjesë  që në administrimin e parë të PISA-s në vitin 2000; Serbia në vitin 2003, Mali i Zi në vitin 2006; Kosova në PISA 2015, dhe Bosnja dhe Hercegovina në PISA 2018.

Si në të gjithë globin edhe në rajon trendi që shkollat urbane të ketë arsim më cilësor se zonat rurale nuk ishte përjashtim. Sipas indeksit të përcaktimit të PISA-s ndarja në këto tre kategori është si vijon :  zonat rurale  llogariten të jenë vendet që kanë më pak se 3 mijë banorë, ndërsa qytezat llogariten të jenë ato vende që variojnë nga 3 mijë deri në 100 mijë banorë, dhe qytetet ose zonat urbane mbi 100 mijë banorë. Ndarja demografike e nxënësve midis zonave rurale dhe urbane në vendet Ballkanit Perëndimor është e ngjashme me mesataren e  Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të Organizatës Ekonomike për Bashkëpunim  dhe Zhvillim OECD. 10% e nxënësve ndjekin mësimin  në zonat rurale; më shumë se gjysma në qyteza; dhe rreth një e treta në qytete apo zona urbane.

Megjithatë, ka variacione të mëdha ndërmjet sistemeve arsimore në Ballkani Perëndimor. Në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, asnjë nxënës 15-vjeçar në kampionin PISA nuk u  regjistrua në një shkollë fshati. Në Kosovë dhe Shqipëri 13% dhe 26% e nxënësve kanë ndjekur përkatësisht shkollën rurale. Këto dallime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk kanë komunitete rurale, por që sistemet e tyre arsimore mund të ndërtojnë shkolla t​ë mesme të larta në komunitete më të mëdha dhe transportojnë nxënës nga zonat më rurale për të ndjekur ato shkolla[6]

Rezultatet e PISA-s në Ballkan, Serbia më rezultatet më pozitive

Në infografikën më poshtë shohim performancën e testimeve të PISA-s në Ballkanin Perëndimor në lexim të kohëpaskohshëm  krahasuar me testimet e pjesëmarrjes së parë në PISA të vendeve përkatëse përveç Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila pjesëmarrjen e parë dhe të vetme në këto testime e ka në vitin 2018. Pikët më të larta në këtë disiplinë të testimeve e ka Serbia me 439 pikë, me ngritje nga 38 pikë nga pjesëmarrja në testimin e parë PISA në vitin 2006, Maqedonia e Veriut ka 393 pikë, 20 pikë më shumë se nga testimi i parë në vitin 2015. Shqipëria ka 405 pikë në këtë disiplinë të PISA-s, me 56 pikë më shumë nga pjesëmarrja e parë në vitin 2000, Mal i Zi ka 421 pikë, 29 pikë më shumë se nga pjesëmarrja e parë në vitin 2006. Bosnja ka 403 pikë në pjesëmarrjen e saj të parë dhe të vetme në vitin  2018 . Maqedonia e Veriut ka 20 pikë më shumë nga pjesëmarrja e parë në vitin 2000, dhe Kosova që ka një ngritje vetëm prej 6 pikëve.

Pra, ka dallime të mëdha edhe ndërmjet sistemeve arsimore brenda Ballkanit Perëndimor. Rezultatet mesatare të Serbisë në lexim, matematikë dhe shkencë, për shembull, janë afër atyre të disa vendeve të Bashkimit Evropian, si Bullgaria, Greqia dhe Rumania. Në anën tjetër, në Kosovë performanca mesatare është më afër asaj të vendeve me të ardhura të ulëta si Indonezia dhe Maroku.[8]

Edhe pse në testimet e fundit në testimin PISA vendet e Ballkanit e kanë një përmirësim inkurajues në krahasim me  rezultatet paraprake, përsëri  qëndrojnë shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe  vendet e OECD. Në  testimin e fundit PISA 2018, nxënësit  nga Ballkani Perëndimor kanë  marrë mesatarisht 402 pikë në lexim, 414 pikë në matematikë dhe 408 në shkencë, që do të thotë se rreth 80% nga vendet e OECD-së shënuan rezultate më të larta se mesatarja e nxënësve në Ballkanin Perëndimorë siç mund të shihet edhe nga ilustrimet në vazhdim.

Testimet PISA në matematikë, lexim dhe shkencë

Në tabelë më poshtë shohim rezultate e fundit të testimit PISA, në matematikë, lexim dhe shkencë në vendet e rajonit dhe mesataret e  Bashkimit Europian dhe vendeve OECD. Edhe në ndarjen e këtyre 3 kategorizimeve vendet e Ballkanit kanë një hendek të madhe me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian , vendeve të OECD dhe CEEC.

Dija jofunksionale dhe ngërçi në integrimet

Në këtë këndvështrim, rezultatet e testimit PISA identifikojmë se në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e rajonit gjeneza e zhvillimit të ngadaltë, procesi i tejzgjatur i tranzicionit dhe çekuilibrimi i tregut të punës është pikërisht nga rezultatet e dobëta që vendet e rajonit i kanë në testet PISA.

Një numër i konsiderueshëm nxënësit vendeve të rajonit janë peng i dijes jofunksionale, dijes që mund ta riprodhojnë në suaza të përsëritjes të asaj që e mësojnë fjalëpërfjalshëm,  por që nuk arrin të formësohet në dija konceptuale dhe funksionale, gjë e cila do t’iu mundësonte të përfshihen në jetën shoqërore dhe ekonomike.

Ndoshta është koha për një mbindërtim të sistemeve arsimore të deritashme , që në shumicën e rasteve janë skematike dhe jokreative, gjë që buron edhe nga ish sistemet politike që vendet e rajonit i kanë kaluar. Pra, nevojitet një riformatim i kuadrit mësimdhënës dhe ndryshim i kurrikulave dhe programeve mësimore, i cili nuk do të jetë improvizues por i vërtet dhe i bazuar në studime socio-kulturore dhe krahasime me përvoja të ngjashme që kanë qenë të suksesshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDPolitik