Vendosni fjalën kyçe....

I kapet pistoletë me mulli pa leje, pranga 19-vjeçarit në Durrës


Një 19-vjeçar është ndaluar në Durrës pasi është kapur duke lëvizur me armë zjarri pa leje.

Në pranga ka përfunduar i riu me iniciale Xh.S. banues në Sukth.

Gjatë kontrollit atij i është kapur një pistoletë me mulli dhe fishekë.

Në vitin 2020, ai kishte plagosur rëndë një bashkëmoshatar e kishte tre javë që ishte liruar nga burgu pasi kishte përfunduar dënimin.

Njoftimi

“Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për mbajtjen nën kontroll të personave me precedentë kriminalë, bazuar dhe në inteligjencën informative se një shtetas me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, po qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Delikti”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi: -Xh. S., 19 vjeç, banues në Sukth, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, i kanë gjetur në çantën e supit, 1 armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak, që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ky shtetas, në vitin 2020, ka plagosur rëndë, një bashkëmoshatar të tij. 19-vjeçari, për këtë vepër penale ishte dënuar, dhe kishte 3 javë që kishte përfunduar dënimin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”