Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e Kosovës: Kurti e Vuçiç mund të takohen nesër


Qeveria e Kosovës ka zbuluar se “me shumë gjasa” të dielën do të ketë një takim në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e konfirmoi këtë për Gazetën Express, duke shtuar se në momentin kur do të vendoset do ta bëjnë të ditur edhe orën e takimit.

Në fakt takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit ishte paralajmëruar më herët edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai pati thënë në një konferencë për mediet se takimi mes dy liderëve pritet të zhvillohet së shpejti.

“BE-ja pret progres në dialog, depërshkallëzim dhe gatishmëri konstruktive për të avancuar. Ne jemi në krizën më të keqe nga viti 2013 dhe Përfaqësuesi i Lartë e ka bërë të qartë se çka presin nga të dyja palët dhe çfarë jemi bërë ne për t’i ndihmuar ata dhe për i dhënë një zgjidhje europiane për situatën. Ne mbesim të përkushtuar që të mirëpresim të dy, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Bruksel për një takim të lartë sa më shpejt që është e mundshme dhe sa më shpejt që ata janë të gatshëm që të tregojnë sjellje europiane për të gjetur një zgjidhje europiane për problemet mes tyre.”– pati thënë Stano pak ditë më parë.

Të hënën pritet të hyjë në fuqi zbatimi i masës së dytë të vendimit të moderuar të Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Dhe takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit pritet të mbahet para kësaj.