Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino akuzon Perëndimin për “hipokrizi”


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka akuzuar Perëndimin për “hipokrizi” në lidhje me raportimin për të drejtat e njeriut në Katar në prag të Kupës së Botës.

Në një monolog të jashtëzakonshëm në një konferencë shtypi në Doha, Infantino foli për gati një orë dhe bëri një mbrojtje pasionante të Katarit dhe turneut.

Kampionati i futbollit është lënë në hije nga çështjet në Katar, mes të cilave vdekja e punëtorëve migrantë dhe trajtimi i personave LGBT.

Infantino, i lindur në Zvicër, tha se kombet evropiane duhet të kërkojnë falje për aktet e kryera në historitë e tyre, në vend që të fokusohen në çështjet e punëtorëve migrantë në Katar.

“Sot kam ndjenja të forta. Sot ndihem Katari, ndihem arab, ndihem afrikan, ndihem homoseksual, ndihem i paaftë, ndihem punëtor migrant.”– tha Infantino sipas BBC-së.

Katari nis turneun kundër Ekuadorit në stadiumin Al Bayt të dielën.

Në shkurt 2021, Guardian tha se 6 mijë e 500 punëtorë migrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri Lanka kishin vdekur në Katar që kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës.

Numri bazohet në shifrat e dhëna nga ambasadat e vendeve në Katar.

Megjithatë, qeveria e Katarit tha se kjo shifër ishte mashtrim, sepse jo të gjitha vdekjet e regjistruara ishin të njerëzve që punonin në projekte të lidhura me Kupën e Botës.

Infantino tha: “Na janë mësuar shumë mësime nga evropianët dhe bota perëndimore. Unë jam evropian. Për atë që kemi bërë për 3000 vjet në mbarë botën, ne duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme përpara se të japim mësime morale.

Nëse Evropa interesohet vërtet për fatin e këtyre njerëzve, ata mund të krijojnë kanale ligjore – siç bëri Katari – ku një numër i këtyre punëtorëve mund të vijnë në Evropë për të punuar. Jepuni atyre një të ardhme, pak shpresë.”

“Ky mësim i njëanshëm moral është thjesht hipokrizi. Pyes veten pse askush nuk e njeh përparimin e bërë këtu që nga viti 2016.

Nuk është e lehtë të pranosh kritikët e një vendimi që u mor 12 vjet më parë. Katari është gati, do të jetë Kupa e Botës më e mirë ndonjëherë.”- shtoi ai.

Infantino tha se nuk ka arsye pse të mbrojë Katarin por mbron futbollin. Ai tha gjithashtu se fondi i trashëgimisë së FIFA-s Katar 2022 do të shkojë në arsim, duke nënshkruar një marrëveshje që do të ndihmojë 25 milionë fëmijë dhe gra në Indi.