Vendosni fjalën kyçe....

Bordi ul me 2 lekë çmimin e naftës, benzina ulet me 5 lekë


Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të mërkurë të ulë me 2 lekë çmimin e naftës. Kështu duke nisur nga nesër në orën 12:00, nafta do të shitet me 221 lekë për litër, nga 223 që u vendos ditën e protestës më 12 nëntor.

Benzina nga ana tjetër është ulur me 5 lekë dhe do të shitet me 204 lekë litri.

Ndërsa gazi ulet me vetëm 1 lek dhe do të shitet jo më shumë se 73 lekë/litri.

Çmimet e reja do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Njoftimi i Bordit

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 16 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 16.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 950, -29 nga data 11.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1025, – 5 nga data 11.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje në 112.38 (- 1.65 nga data 11.11.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 221 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 209 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 204 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 192 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 73 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 61 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 127 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Nëntor, ora 12.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.