Vendosni fjalën kyçe....

Analiza – Çfarë nënkupton tërheqja ruse nga Khersoni?


Kherson është një nga rajonet strategjike që ndodhet midis Gadishullit të Krimesë të pushtuar nga Rusia dhe Ukrainës lindore. Tërheqja ruse mund të nënkuptojë fundin e synimit të Moskës për të arritur në Odessa dhe më tej në jugperëndim të Ukrainës.

Gjatë shekujve, lumi Dnieper ishte pjesë e një rruge të lashtë tregtare që kalonte midis Mesdheut dhe detit Baltik dhe gjithashtu konsiderohej një pengesë natyrore midis Rusisë së vjetër dhe Perëndimit. Në kohët moderne, lumi ndan Ukrainën perëndimore nga pjesa lindore e saj, e cila ka qenë e populluar shumë nga rusët.

Nuk është çudi që kalimi i lumit, i cili rrjedh nëpër territoret ukrainase përpara se të derdhej në Detin e Zi në rajonin Kherson, kishte më shumë se një kuptim simbolik për forcat ruse.

Për disa rusë të vijës së ashpër, kalimi i Dnieper-it nënkuptonte gjithashtu mbajtjen gjallë të ëndrrave të rikrijimit të Rusisë së vjetër të ditëve cariste, e konsideruar periudha e artë e vendit.

Por ditët e fundit, forcat ruse janë tërheur ngadalë nga pozicionet e tyre në qendër të qytetit Kherson, që ndodhet në bregun perëndimor të lumit në Kherson, duke i detyruar analistët ushtarakë të futen në një lojë hamendësimi për qëllimet e vërteta  të Rusisë. Kherson, një rajon strategjik, formon një urë tokësore midis gadishullit të Krimesë të pushtuar nga Rusia dhe kontinentit rus.

“Duke parë situatën aktuale të operacionit taktik, ka kuptim që rusët të rigrupohen në anën lindore të lumit, ku ata kanë më shumë aftësi për t’u rifurnizuar dhe në thelb të gërmojnë dhe krijojnë pozicione më të qëndrueshme mbrojtëse.” – thotë Andreas Krieg, një analist i mbrojtjes, duke iu referuar tërheqjes ruse nga Kherson.

Komandanti i ri ushtarak rus Sergei Surovikin, i linjës së ashpër dhe i njohur për agresivitetin e tij gjatë gjithë karrierës, urdhëroi tërheqjen nga kryeqyteti rajonal për të mbajtur kontrollin mbi pjesën tjetër të Khersonit.

Kontrolli i pjesëve të Khersonit në lindje të lumit Dnieper do t’i shërbejë ende synimeve strategjike të Moskës për të mbajtur një urë tokësore midis Krimesë dhe kontinentit rus. Por mund të përfundojë gjithashtu përpjekjet ruse për të lidhur Krimenë me Odesën, një port i Ukrainës në Detin e Zi.

Rusët e kuptojnë se në planin afatgjatë, qendra e qytetit të Khersonit ndoshta do vihej nën një zjarr të jashtëzakonshëm dhe do të ishte ‘shumë e vështirë dhe e kushtueshme’ për ta mbajtur, sepse është rrethuar pothuajse nga forcat ukrainase, sipas Krieg, një pedagog i lartë në Kolegjin e Studimeve të Sigurisë në ‘King’s College’ në Londër.

Por Kreig beson se do ishte gjithashtu shumë e vështirë për ukrainasit të lëvizin më tej në bregun lindor të lumit kundër mbrojtjeve ruse.

“Rusët nuk e përmendën fjalën tërheqje. Ata po e quajnë atë rigrupim,  gjë që mund të jetë në thelb. Kjo nuk do të thotë se rusët do tërhiqen shumë thellë drejt lindjes. Ata thjesht mund të gërmojnë në pjesën lindore të lumit dhe të krijojnë pozicione më të qëndrueshme mbrojtëse.” – tha Kreig për TRT World.

Kreig nuk mendon se tërheqja ruse nga Kherson mund të jetë një tërheqje taktike, sepse do ishte e vështirë për ta që të ktheheshin sërish në pjesën perëndimore të rajonit Kherson në rrethanat e tanishme.

Edhe në Moskë, disa rusë të fuqishëm si Yevgeniy Prigozhin, i cili drejton grupin mercenar Ëagner, duket se e pranojnë se tërheqja e Khersonit nuk mund të portretizohet si ‘një hap fitimtar’ për Rusinë. Për të shpjeguar tërheqjen, ai vuri në dukje se ‘është e rëndësishme të mos shqetësohemi, të mos luftojmë në gjendje paranoje, por të nxjerrim përfundime dhe të punojmë për gabimet’.

Abdullah Agar, një analist ushtarak turk, e sheh tërheqjen e Khersonit si një përpjekje ruse ‘për të kryer një akt ekuilibrues midis moshumbjes së ushtarëve dhe moshumbjes së luftës së bashku me humbjet e mëtejshme të territorit dhe përballjes me rreziqe logjistike’, duke iu referuar raporteve që sugjeronin se rusët kanë hapën llogore në bregun perëndimor të lumit.

Pasojat e mundshme

Agar beson se nëse rusët me të vërtetë po tërhiqen nga Khersoni, kjo do të çojë në disa pasoja të rënda për Moskën. Si rezultat, ai dyshon në shtrirjen e tërheqjes së Khersonit.

“Lëvizjet ruse për tërheqje nga Kherson nuk përputhen me pretendimet politike që rusët kanë bërë deri më tani. Urdhri i tërheqjes gjithashtu nuk përputhet me qëndrimet politike të Putinit.” – tha Agar për TRT World.

“Kur Rusia aneksoi territoret ukrainase javë më parë pas referendumeve të paligjshme, Putin kishte deklaruar se Kherson do të qëndrojë përgjithmonë si tokë ruse.” – thotë ai.

Si rezultat, Agar beson se lënia e Khersonit pa luftuar do kishte ‘pasoja politike’ për Moskën, duke dëmtuar prestigjin e Putinit në Kremlin. Kreig mendon gjithashtu se nga pikëpamja strategjike dhe reputacioni, largimi nga Kherson është ‘një poshtërim masiv’ për rusët. Sergei Markov, një ish ndihmës i Putinit, e ka përcaktuar tashmë tërheqjen e Khersonit si ‘humbjen më të madhe gjeopolitike për Rusinë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik’.

“Tërheqja ruse nga Khersoni është gjithashtu pranimi i një disfate ushtarake për Moskën.” – thotë Agar.

Rusia nuk e quan sulmin e saj ndaj Ukrainës pushtim, duke e përcaktuar ofensivën e saj si një ‘operacion special ushtarak’. Gjatë sulmit rus në Ukrainë, pavarësisht pengesave të ndryshme, Putin dhe komandantët e tij gjithashtu këmbëngulën se gjërat po shkonin sipas planit.

Agar beson gjithashtu se largimi nga Kherson mund të demoralizojë ushtrinë ruse, duke çuar në lëshimin e më shumë territoreve ndaj Ukrainës. Urdhri rus i tërheqjes, i cili u diskutua mes Gjeneralit Surovikin dhe ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoygu gjatë një bisede telefonike të mërkurën, u zbulua në mediat ruse megjithatë Agar e sheh rrjedhjen një akt ‘të dyshimtë’.

Si rezultat, si disa ukrainas, Agar beson se tërheqja ruse mund të jetë një taktikë ushtarake për të joshur ukrainasit në një luftë të kushtueshme urbane brenda qendrës së qytetit.

“Ka raporte se ushtria ruse shpërndau më shumë se 40,000 ushtarë në shtëpitë në qendër të qytetit.” – thotë ai.

Analisti ushtarak kujton gjithashtu luftën urbane në Mariupol, një qytet bregdetar, që i kushtoi shtrenjtë të dyja palëve, por në fund, Ukraina ishte në anën e humbur pasi disa nga luftëtarët e saj më të mirë ranë në duart e Rusisë.

Krieg beson gjithashtu se do të ishte ‘e pamatur’ që ukrainasit e raskapitur të rimarrin qytetin Kherson ‘menjëherë’. Ata do ekspozoheshin ndaj rreziqeve të ndryshme sepse rusët do e bënin sa më të vështirë përparimin e Ukrainës në qendrën urbane.

“Nuk është diçka që ukrainasit ndoshta do ta bënin shumë shpejt dhe pa ngurrim. Vetë ukrainasit janë të rraskapitur. Ata nuk duan të përfshihen në një lloj situate të luftës urbane.” – tha ai.

Ndërsa tërheqja ruse nga Kherson shënon një sukses ukrainas, mbetet për t’u parë se deri në çfarë mase përparimi i Kievit mund të përkthehet në një objektiv të duhur strategjik dhe fitore për ukrainasit, sipas Kreig.

“Ata nuk kanë asnjë nxitim.” – shtoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TRT