Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nesër të gjithë mund të vijnë në protestë, përveç Lulzim Bashës


Ndërsa fliste për protestën e thirrur nga ai ditën e nesërme, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se të gjithë janë të ftuar, të gjithë përveç Lulzim Bashës.

Berisha tha se Basha së pari duhet të sqarojë akuzat ndaj tij.

“Detyrat janë të ndara, unë kam fjalimin, bashkëpunëtorët e tjerë kanë skenarin, të tjerë kanë himnin. Do ketë risira, ka nga të gjitha aspektet. …

Të gjithë mund të vijnë në protestë, përveç Lulzim Bashës, që duhet të sqarojë akuzën e tmerrshme. Të tjerët janë anëtarë të PD, nuk mund të marrin leje te unë që të protestojnë. Basha ka një akuzë të tmerrshme, ka deklaruar se nuk është e vërtetë, nuk ka dhënë asnjë fakt, asnjë provë për ato akuza që ekzistojnë aty. Hetimi këtu nga selia po vazhdon. Kështu që mendoj se është shumë i detyruar të zbardhë, të ketë burrëri, të tregojë edhe nëse i takon të hyjë brenda, ose të shpallet i penduari i drejtësisë, dhe fiton lehtësira. Por të tregojë të vërtetën.”- tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri shtoi se populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile.

“Ju kam deklaruar se opozita është në protestë, populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeverie. Populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij nesër në protestë. Sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjën e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri e lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen dhe mashtrimin. Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë.”– tha ai.