Kandidati në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti deklaron se koalicioni opozitar duhet të punojë për të maksimizuar votat në zgjedhjet e 14 majit.
Në A Show me Adi Krastën në Syri Tv, Alimehmeti tha se edhe të majtët duan largimin e Erion Veliajt nga bashkia e Tiranës.
Mjeku i njohur tha se qytetarët e pakënaqur duhen bindur të votojnë alternativën e opozitës.
“Votat tona dhe të aleatëve nuk dalin. Duhet të kthejmë vota të majta në të djathta, duhet të nxjerrim nga shtëpia shoqërinë civile që nuk del sepse nuk gjen njeri që e përfaqëson. Dhe për këtë arsye, këtu janë primaret, që janë risi ballkanike. Që sot ne i heqim një problem madhor që kemi patur si popullatë që thonë na imponuan një kandidat, nuk e deshëm, nuk na pëlqen. Unë kam besim të fortë te vota. Të zgjedhin kë ata mendojnë se i përfaqëson, kë mendojnë se i përfaqëson. Ne duhet të jemi shumë të plotë te kjo ide, qoftë familja jonë, qoftë aleatët, qoftë shoqëria civile që do ndërrimin, qoftë të majtët që ndoshta në këtë moment nuk marrin pjesë në primare por me zor presin dikë dhe ju mjaftoni të shkoni të bëni sondazhet jashtë dhe do ta kuptoni vetë se ku qëndron kjo peshë, të cilët nuk do ta kenë mundësinë e shprehjes në primare por janë një peshë shumë e rëndësishme kur të vijë 14 maji”-deklaroi Alimehmeti.