Vendosni fjalën kyçe....

Pezullohet shefi i policisë në veriun e Kosovës, refuzoi zbatimin e vendimit për targat


Policia e Kosovës pezulloi të enjten drejtorin e saj rajonal në veriun e vendit Nenad Gjuriç për shkak të refuzimi të tij për të zbatuar vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave.

Të mërkurën drejtori rajonal i policisë në veri Nenad Gjuriç, tha se policët serbë që shërbejnë në atë zonë, nuk do të zbatojnë vendimin e qeverisë për targat e makinave.

Zoti Gjuriç që i bëri këto komente pas takimit me udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor të serbëve të Kosovës dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e vendit, tha se “policët nga rajoni i veriut nuk mund ta zbatojnë vendim e qeverisë sepse është politik dhe këmbëngulës në radhë të parë kundër komunitetit serb të cilit edhe vet i përkasim”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Kosovës është mbi të gjitha cenim i rëndë i sigurisë dhe qëndrueshmërisë së vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Sveçla tha se “policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, shkroi ai.

Pezullimi i drejtorit të policisë në veriun e Kosovës nxiti reagime të ashpra të zyrtarëve në Beograd.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se Nenad Gjuriç u pezullua për shkak se ka mbrojtur bashkëkombësit e tij.

“Nuk ka asgjë më të natyrshme se ai vendim i zotit Gjuriç sepse pikërisht ajo që ai tha në konferencën për shtyp është e vërteta dhe ai donte të ruante kompetencat e drejtorisë së tij rajonale”, tha ai duke nënvizuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti me këtë vendim po shkel të gjitha marrëveshjet e Brukselit.

“Këtë ia kemi përcjellë Miroslav Lajçakut. Unë thashë se jemi në fillim të shpërbërjes së marrëveshjes së Brukselit. Me atë që bëri (Albin) Kurti u nëpërkëmb çdo gjë e dakorduar në Bruksel. Kurti nuk ka të drejtë të zëvendësojë drejtorin sepse është i zgjedhur nga populli serb i Kosovës”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, tha përmes një komunikate se ka thirrur për të shtunën mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e katër komunave në veriun e Kosovës, ku pritet të propozojë largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”, tha zoti Rakiç.