Vendosni fjalën kyçe....

Çollaku: Ushtria serbe në gatishmëri, Shqipëria duhet të qëndrojë në krah të Kosovës


Deputeti demokrat Keshnik Çollaku ka reaguar lidhur me lajmet se Serbia ka vendosur në gatishmëri ushtrinë pasi Kosova ka nisur fazën e parë të qortimit të shoferëve me automjete me targa serbe, të cilëve u kërkohet që të konvertojnë targën në ato të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Çollaku shkruan se Shqipëria duhet të qëndrojë në krah të Kosovës dhe në mbrojtje të paqes e stabilitetit në rajon.

“Lajmi se Serbia dhe presidenti Vuçiç ka ngritur gjendjen e gatishmërisë se ushtrisë për shkak të masave të reciprocitetit për targat të cilat qeveria e Kosovës ka vendosur të implementojë është një reagim extremalisht disproporcional dhe që ekspozon një mentalitet agresiv e luftëdashës të Serbisë sot.

Këto kërcënime nuk janë vetëm kundër Kosovës por paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Në çdo rast Shqipëria është e duhet të qëndrojë në krah të Kosovës dhe në mbrojtje të Paqes e Stabilitetit të Rajonit.

Shqipëria duhet të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë në raport të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.”- shkruan Çollaku.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve që kanë ende mjete me targa serbe që të konvertojnë targën në atë të Kosovës dhe t’i japin fund paligjshmërisë, pasi targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

Por ministri i Mbrojtjes serbe Millosh Vuçeviç, tha se Serbia nuk do të rrijë duarkryq dhe se me një urdhër të Presidentit Aleksandar Vuçiç ushtria serbe do të jetë në gatishmëri.