Vendosni fjalën kyçe....

Kriminelët në Finlandë marrin armë nga Ukraina – Policia


Grupet kriminale në Finlandë kanë marrë disa nga armët që i janë dërguar Ukrainës nga mbështetësit e saj perëndimorë në mes të konfliktit me Rusinë, ka thënë Byroja Kombëtare e Hetimit finlandez (NBI).

“Ne kemi parë shenja se këto armë tashmë kanë mundur të futen në Finlandë.” – tha mbikëqyrësi i detektivëve të NBI-së, Christer Ahlgren për gazetën Yle të dielën.

Armët automatike janë mes armëve të futura në vend, tha Ahlgren, por nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme, pasi hetimi është ende në vazhdim.

Rrugët e trafikut të armëve nga Ukraina në Finlandë janë vendosur tashmë, sipas hetuesve.

“Tre nga bandat më të mëdha të motoçikletave në botë, që janë pjesë e organizatave më të mëdha ndërkombëtare, janë aktive në Finlandë. Një prej tyre është Bandidos MC, e cila ka një njësi në çdo qytet të madh të Ukrainës.” – tha ai.

“Organizatat kriminale kanë rrjetet e tyre në portet tregtare finlandeze.” – vuri në dukje Ahlgren, duke shtuar se kontrollet e sigurisë që janë të detyrueshme për stafin e aeroportit nuk zbatohen për punonjësit e portit.

Finlanda nuk është i vetmi vend i BE-së me probleme të tilla, pasi ‘armët e dërguara në Ukrainë janë gjetur gjithashtu në Suedi, Danimarkë e Holandë’, tha ai.

“Ukraina ka marrë një vëllim të madh armësh dhe kjo është gjë e mirë, por ne do merremi me këto armë për shumë kohë e do duhet të paguajmë çmimin këtu në vendin tonë.” – vuri në dukje Ahlgren.

Që në maj, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin theksoi nevojën për llogaridhënie për armët amerikane të furnizuara në Ukrainë. Në atë kohë, Austin tha se kishte diskutuar çështjen me autoritetet e Kievit, të cilët dhanë garanci.

Në qershor, agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë mund të çojë në një rritje të armëve dhe municioneve që kontrabandohen në bllok.