Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza Ramës për fluturimet ‘charter’: Ka bërë dy herë më shumë se ish-presidenti amerikan Bush


Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama për fluturimet e tij ‘charter’.

Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Luçiano Boçi, tha se kreu i qeverisë ka bërë 137 fluturime ‘charter’ ma avionin kryeministror. Sipas tij, ish-presidenti amerikan Bush në dy mandate ka bërë 74 fluturime.

Boçi shtoi së ndërsa Rama fluturon ‘charter’ të rinjtë shqiptarë kalojnë me gomone për të shkuar në Angli duke rrezikuar jetën.

Deklarata

“Sheiku Ahm- Ed Bin Rama Al Surrel, me çarter pas fundshpine, ka reaguar me breshëri pasi hakerat i zbuluan numrin e fluturimeve me avion-taksi. Siç e ka zakon kur kapet ngushtë, ai fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore. 137 fluturime ka kryer zotëria e tij me avionin kryeministror, dhuratë e Erdoganit, pajë për zhbërjen e shkollave dhe llahtarisjen e fëmijëve shqiptarë. Dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One.

Njeriu më i fuqishëm i botës ka kryer dy herë më pak fluturime në dy mandate se lideri më i pafuqishëm i Europës. Këtë të fundit nuk e thotë PD, ndaj i kërkojmë të mos zemërohet, por e thotë media e njohur Politiko.eu. Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri ynë është në hava-limanin  e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet. Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij.

Ndërkohë që udhëheqësi ngrihet, vendi që ai udhëheq bie poshtë e më poshtë në renditjen e raporteve europiane dhe amerikane. Poshtë në cilësinë e jetës e lart në pasiguri, krim, shpopullim, e me radhë. E vetmja arritje e zotërisë që i do çarterat si fëmija lodrat, është refuzimi i darkës nga krerët e Parlamentit europian, kilotat dhe atletet e tij që bëjnë me siklet liderët botërorë, dhe loja e zënies së syve që i bëri kryeministrit kosovar Albin Kurti. Sot e ka që na tregon atë shumën e harxhuar për fluturimet me çarter. Nuk e ha njeri. Edhe furgoni i linjës Kafe Europa-Surrel të kishte qenë, do të kishte kushtuar më shumë. Por jemi mësuar me shuma të tilla, si në rastin e vilës në Surrel, pallatit në Tiranë dhe të ardhurave nga pikturat dhe Kurbani. Shifra që herë bien e herë ngrihen sipas nevojës. Siç e thotë Lutfi Dervishi “thonë kot që na qeveris prej 9 vjetësh. 2-3 vite paska qenë në udhëtim”.”