Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se vrau bashkëfshatarin, pranga 63-vjeçarit në Pogradec


Është arrestuar një 63-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e bashkëfshatarit, ngjarje e ndodhur më 7 shtator të këtij viti në fshatin Gështenjas të Pogradecit.

Autori i akuzuar Fatmir Manellari u ndalua mëngjesin e sotëm në Pogradec.

Konflikti mes tij e viktimës Safet Hyskollari kishte nisur prej kohësh për shtrimin e tubacionit të ujit në një pronë që pretendohej nga të dyja palët.

Pas një zënke më 7 shtator, Manellari akuzohet se qëlloi me thikë Hyskollarin, i cili ndërroi jetë më pas në spital për shkak të plagëve të marra.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokalizimi”. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë), një 65-vjeçar. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, Pogradec, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasi S. H., mbështetur me inteligjencë operative, si dhe falë veprimeve të mirorganizuara në kuadër të operacionit “Lokalizimi”, kapën dhe ndaluan autorin e dyshuar, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje, shtetasin:

– F. M., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. H., 65 vjeç dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.”