Vendosni fjalën kyçe....

Takimi me Von der Leyen/ Albin Kurti: Aplikojmë për anëtarësim në BE para përfundimit të këtij viti


Pas takimit që zhvilloi sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian përpara përfundimit të këtij viti.

Zyra e Kurtit në një komunikatë për mediet thotë se “Sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE. Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.”

Në këtë takim, Kurti e njoftoi von der Leyen për “avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e agjendës evropiane dhe për luftimin e krimi dhe korrupsionit”.

Gjithashtu, Kurti falënderoi BE-në për 75 milionë eurot e ndara për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike.