Vendosni fjalën kyçe....

Dy muaj pas sulmit ndaj Salman Rushdie, agjenti i tij thotë se shkrimtari ka humbur shikimin në njërin sy


Shkrimtari Sir Salman Rushdie ka humbur shikimin në njërin sy dhe përdorimin e njërës dorë pas goditjes së tij me thikë në Nju Jork në gusht.

Kështu ka treguar agjenti i tij.

“Ai ka humbur shikimin e njërit sy.-“ tha agjenti Andrew Wylie për gazetën spanjolle El País. “Ai kishte tre plagë të rënda në qafë. Njëra dorë është e paaftë sepse i ishin prerë nervat në krah”.

Agjenti shtoi: “Ai ka rreth 15 plagë të tjera në gjoks…. Ishte një sulm brutal”.

Wylie tha se nuk mund të zbulonte vendndodhjen e romancierit për arsye sigurie. I pyetur nëse autori ishte ende në spital, Wylie u përgjigj: “Nuk mund të jap asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Ai do të jetojë… kjo është gjëja më e rëndësishme.”

Sulmi ndodhi në një event në shtetin e Nju Jorkut më 12 gusht. Sir Salman ishte gati të mbante një fjalim për mënyrën sesi SHBA ka shërbyer si strehë për shkrimtarët.

Salman Rushdie është përballur prej kohësh me kërcënime me vdekje për romanin e tij të vitit 1988, “Vargjet Satanike”, pasi disa muslimanë e konsiderojnë librin si blasfemi dhe se portretizimi i Profetit Muhamed fyente besimin e tyre. Romancieri u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pas botimit të “Vargjeve Satanike”.

Personi i akuzuar për sulmin, Hadi Matar, 24 vjeç, i lindur në SHBA, është deklaruar i pafajshëm për tentativë vrasjeje.