Vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri të cilët u arrestuan sot nga policia për vrasjen e 34-vjeçarit në Fushë Krujë, Indrit Ndoj, janë shprehur të penduar në Polici.
Sipas televizionit “News 24”, dy vëllezërit para hetuesve e kanë pranuar krimin por janë shprehur se nuk kishin për qëllim të vrisnin 34-vjeçarin, por situata u ka dalë nga duart pas një sherri fizik. Ata shprehen se janë sulmuar nga Ndoji dhe e kanë qëlluar me kaçavidë për t’u mbrojtur.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai (Ndoj) ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për t’u mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterjen femorale). Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar.”– mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri sipas “News 24”.
Policia njoftoi sot se gjatë veprimeve hetimore ka sekuestuar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Familjarët e të ndjerit kanë treguar se kishin komunikuar me Indritin një ditë përpara krimit, por nuk kishin vërejtur asnjë shqetësim tek ai. Ata thonë se Indriti udhëtonte me biçikletë, por mjeti nuk u gjet pranë trupit të pajetë. Kjo ka ngritur dyshimet se i riu është vrarë në një vend tjetër vend dhe më pas është hedhur në kanal.