Vendosni fjalën kyçe....

U filmua duke goditur një shtetas, procedohet penalisht dhe largohet nga struktura polici i rrugores në Pogradec


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur procedimin penal ndaj punonjësit të policisë rrugore në Pogradec i cili u shfaq në një video duke goditur shtetasin A.T pasagjer në një automjet që ishte ndaluar.

Përveç punonjësit të policisë kallëzim penal është bërë edhe ndaj shtetasit A.T si dhe është sekuestruar materiali filmik.

Më datë 22.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndaj punonjësit të policisë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, Inspektor A. S.

Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi.

Në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Korçë është administruar materiali filmik, është marrë kallëzimi i shtetasit A. T. dhe deklarimet e palëve, si edhe është bërë këqyrja e jashtme e këtij shtetasi në prani të mjekut ligjor.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec”-njofton AMP.

Për rastin ka reaguar edhe Policia e Shtetit e cila në një njoftim thotë se Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga struktura të efektivit të rrugores ndërsa është transferuar në një strukturë tjetër  policiore efektivi L.H i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e kolegut të tij. 

Bazuar në dëshminë e dhënë në Prokurori, nga shtetasi N. H. (drejtues i automjetit), si dhe në analizën e pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shfaqet punonjësi i Policisë Rrugore, shtetasi A. S., në tejkalim të kompetencave që i jep ligji, ndaj drejtuesit të automjetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Sektorit të Policisë Rrugore Korçë, inspektor A. S.
Për këtë punonjës policie ka nisur edhe hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Gjithashtu, është vendosur transferimi në një strukturë tjetër policore, për punonjësin tjetër të Policisë, shtetasin L. H., i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e paligjshëm të kolegut të tij“-njofton policia.