Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për vdekjen e 32-vjeçarit Kurti, aktivistja: Ardi Veliu drejton Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, s’është e rastësishme


Qytetarë të shumtë janë mbledhur mbrëmjen e sotme para Ministrisë së Brendshme në një protestë lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit nga policia.

Gjatë protestës qytetarët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Çuçi të cilin e bëjnë përgjegjës për ngjarjen e rëndë.

Aktivistja Adriana Kalaja tha se në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili ka dosje në SPAK e ka një histori manipulimesh në ngjarjet e rënda që përfshijnë policinë.

“Forca barbare e këtij pushteti e ndaloi të kthehej në gjirin e familjes. Biri i vetëm i një nënë që sot është veshur me të zeza. Që po ecte pa prekur askënd me dorë, pa dhunuar askënd e asnjë institucion. Gjen vdekjen nga dhuna barbare e policisë. Askush nuk i di emrat e policëve që e shoqëruan e kjo nuk është e rastësishme. Në krye të Autoritetit të Mbikqyrjes ndodhet Ardi Veliu një kriminel. Dosjen e ka në SPAK. Jeni dëshmitarë si manipuloi privat për Klodian Rashën, ngjarjen në Elbasan dhe sot kontrollon abuzimet me detyrën të vartësve të tij që ky i urdhëron të marrin jetë të rinjsh. Minimalisht Veliu duhet të heshtte se është palë e implikuar.” – tha ajo.

Ndërsa një tjetër protestues u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen e të protestojnë kundër dhunës policore që i kërcënon të gjithë.

“Të bashkohemi që t’i tregojmë këtij ministri që nuk e njeh detyrën që përfaqëson. Ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqje. Ne jemi mësuar që kryeministri nuk i mban premtimet. Jemi mësuar që qeverinë e ka bazuar në propagandë e mashtrime. Ky popull nuk mund të bjerë pre e shantazheve. Pushtin e ka bazuar vetëm në pushtet frike. Jep dorëheqjen. Ik, Ik…” – tha ai.