Vendosni fjalën kyçe....

Prodhuesit përsërisin kërkesën për heqjen e akcizës së gazit: Nga 1 korriku kostot u rritën me 20%


Prodhuesit paralajmërojnë intesifikimin e kërkesave për heqjen e akcizës te gazi i lëngshëm, pasi kosto nga shtrenjtimi i lëndëve djegëse është e papërballueshme.

Prodhuesit e produkteve jo ushqimore pohojnë se aktualisht fatura mujore për shpenzimet e gazit të lëngshëm në fabrikat arrin deri 30 mln lekë. Kostoja e shtuar nga niveli i akcizës 6 lekë për litër për blerjen e këtij produkti janë 10 deri 20% më shumë. Prej tyre theksohet se nëse nuk merret parasysh kërkesa do t’i drejtohen gjykatës.

Nga 1 korriku 2022 hyri në fuqi vendosja e akcizës 6 lekë për litër te gazi i lëngshëm. Tek prodhuesit 60% të kostos e zënë lëndët djegëse, ndërsa rreth 50% të kësaj kosto e zë gazi i lëngshëm.

Në një kohë kur çmimet e energjisë, karburanteve dhe gazit janë rritur, prodhuesit ngrenë shqetësimin se tarifa e akcizës rrit 10 deri 20% koston e tyre prodhuese (në varësi të industrisë prodhuese).

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkon përjashtimin nga akciza e gazit të lëngshëm te industria prodhuese. Shqetësimin për kostot e larta e kanë ngritur më parë edhe në muajin korrik në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Arben Pëllumbi.

Prodhuesit në letrën dërguar Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese pohuan se gazi i lëngshëm zë një përqindje të konsiderueshme në totalin e kostove në industritë prodhuese, ku sipas sektorëve ai varion nga 30% ne 35% e ndoshta me tepër.

Ndërkohë që perspektiva e çmimit të gazit, në periudhën e vjeshtës dhe dimrit që do të vijnë, pritet të ketë një rritje të mëtejshme. Bashkimi i Prodhuesve pohon se në këto kushte vendosja e akcizës e bën situatën edhe më të rëndë.

“Nëpërmjet ligjit nr 114/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” u vendos unifikimi i akcizës për gazin e lëngshëm, si për përdorim në automjetet private ashtu edhe për përdorime të tjera, në nivelin 6 lekë për litër.

E thënë ndryshe, unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike do të sjellë të njëjtin nivel taksimi, si për përdorim vetjak ashtu edhe për qëllime biznesi. Siç u theksua edhe gjatë diskutimeve me institucionet shtetërore, ky ndryshim u imponua si rezultat i pamundësisë së tyre për të kontrolluar abuzimet që bëhen në këtë sektor, teksa një sasi e madhe gazi futej me qëllim përdorimi për konsum familjar dhe përdorej për automjetet e qytetarëve.

Në këtë ligj nuk parashikohet përjashtimi nga akciza i gazit të lëngshëm për qëllime prodhimi. Funksionimi i dobët i mekanizmave shtetërore për të stopuar abuzimet në treg, nuk është arsye për të viktimizuar industritë prodhuese, ku vendosja e një akcizë të tillë në kushtet e sotme, ndikon tepër negativisht në veprimtarinë e këtij sektori.

Në vijim po parashtrojmë disa argumente, që dëshmojnë se vendosja e kësaj akcize për industrinë prodhuese është e pajustifikuar dhe aspak në përputhje me parimet mbi të cilat aplikohen akcizat, e dëmshme për këtë industri dhe për rrjedhojë për ekonominë e vendit:

Maxhoranca shtyu afatin e hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi, nga data 1 janar 2022 në 1 korrik 2022. Kjo shtyrje atëherë u bë për shkak të situatës së energjisë elektrike, duke parashikuar që nga pranvera çmimet e energjisë do të stabilizohen.

Madje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u tha që do të rihapim një debat nga muaji maj apo qershor, që të bëjmë një diskutim për situatën konkrete dhe efektet e saj, duke pasur parasysh si do të shkojë tregu.

Sot situata në të gjitha llojet e energjive ka ardhur duke u rënduar në mënyrë progresive, përfshirë edhe gazin e lëngshëm. Kompanitë prodhuese e blejnë gazin e lëngshëm, duke marrë si njësi matëse kilogramin dhe jo litrin. Duke pasur në konsideratë raportin kg/litër në këtë produkt, akciza automatikisht konvertohet nga 6 lekë/litër në 12 lekë/kg. Gjithashtu çmimi i tij është rritur nga 50 lekë/kg në periudhën para fillimit të krizës, në rreth 100 lekë/kg sot (pa TVSh)”.

Prodhuesit veçojnë se akciza mbi gazin e lëngshëm për qëllime prodhuese, bie në kundërshtim me parimet mbi të cilat vendoset në përgjithësi akciza. Për rrjedhojë kjo akcizë nuk ekziston as në vendet e rajonit dhe as ne vendet e Bashkimit Europian.

“Kompanitë prodhuese shqiptare, një pjesë të madhe të produktit të tyre e eksportojnë. Ka një mangësi të madhe në konkurrencën e eksporteve krahasuar me fqinjët. Masat që janë marrë nga qeveria shqiptare për lehtësimin e të bërit biznes, janë shumë të vogla në krahasim me vendet fqinje, të cilat reagojnë dhe konvergojnë më shpejt.

Ndërkohë që asnjë nga vendet e rajonit nuk ka vendosur një akcizë të tillë për gazin e lëngshëm, madje po marrin masa për zbutjen e situatës me çmimet e energjisë. Impakti i madh negativ që do të kenë kompanitë shqiptare nga vendosja e kësaj takse, do të bëjë që të thellohet akoma më tepër hendeku i konkurrencës me vendet e rajonit.

Bazuar në të gjitha këto që përmendëm më sipër, kërkojmë që nëpërmjet autoritetit tuaj si kryetar i komisionit të veprimtarisë prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë, të ndikoni në institucionet përkatëse shtetërore, që kompanitë prodhuese shqiptare të përjashtohen nga kjo taksë, pasi impakti financiar që ato do të sjellin në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe në reduktimin e papunësisë do të jetë më i madh se ai përfitim që llogaritet nga aplikimi i kësaj takse në sferën e prodhimit (në total e gjithë kjo akcize llogaritet rreth 3 mln euro, ndërkohë që industria prodhuese në këtë shumë zë më pak se 1/3-en)”, citohet në letër.

Heqja e akcizës te gazi është kërkuar më herët edhe nga Shoqata e Industrisë të Përpunimit të Qumështit. Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrave të MFE Delina Ibrahimaj dhe MBZHR Frida Krifca përpunuesit pohuan se kjo masë fiskale ve në risk investimet e tyre në një kohë që po vuajnë shtrenjtimin e kostove./D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor