Vendosni fjalën kyçe....

Departamenti i Thesarit në SHBA nis hetimet ndaj Guvernatorit republikan DeSantis


Administrata Biden ka hapur një hetim për fluturimin e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri SHBA-Meksikë drejt Martha’s Vineyard, të organizuar nga Guvernatori i Floridës Ron DeSantis.

Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Thesarit konfirmoi se po vlerëson nëse DeSantis ka keqpërdorur fondet e ndihmës për Covid-19 për të dërguar emigrantët e paligjshëm në vendin e lartpërmendur, tha Senatori demokrat Ed Markey.

Një letër e Inspektorit të Departamentit të Thesarit e datës 7 tetor dhe e postuar nga zyra e Senatorit të mërkurën, i tha Markey dhe anëtarëve të tjerë të Kongresit se do vlerësojë shpenzimet e Floridas në lidhje me Covid-19.

Ky hetim ishte pjesë e një hetimi më të gjerë se si shtetet përdorën miliarda dollarë të dërguara për ta sipas Planit Amerikan të Shpëtimit.

Richard K. Delmar, Zëvendësinspektori i Përgjithshëm për Departamentin e Thesarit, tha se do ‘rishikonte ndihmën Covid-19 për shtetet dhe do verifikonte në mënyrë specifike nëse ndihma e fituar nga fondet është përdorur nga Florida në lidhje me aktivitetet e emigracionit.

Rreth 50 emigrantë të paligjshëm nga Venezuela u dërguan në Martha’s Vineyard dhe qeveria republikane e Floridës mori meritën për të.

Disa orë pasi të huajt e paligjshëm u dërguan në ishull, zyra e Guvernatorit të Massachusetts vendosi Gardën Kombëtare përpara se të dërgonte emigrantët e paligjshëm në një bazë ushtarake në Cape Cod.

Në mesin e shtatorit, Guvernatori i Floridës sugjeroi se do dërgonte më shumë në Martha’s Vineyard dhe zona të tjera.