Vendosni fjalën kyçe....

Paradoksi i Joe Bidenit, pengon industrinë amerikane të energjisë, por kërkon më shumë naftë të huaj


Presidenti amerikan Joe Biden ka ndërmarrë një sërë hapash për të frenuar prodhimin vendas të lëndëve djegëse fosile që nga marrja e detyrës, por përsëri u është drejtuar vendeve të huaja për naftë pasi çmimet janë rritur.

Siç shkruan “Fox News”, Administrata Biden ka shtyrë në mënyrë agresive axhendën e saj klimatike, e cila përfshin një tranzicion nga karburantet fosile në energjinë e gjelbër, gjatë 20 muajve të parë në detyrë. Për shembull, ajo ka synuar tubacionet e naftës dhe gazit natyror, duke kufizuar dhënien me qira në tokat dhe ujërat federale, ka ecur përpara me rregulla të rrepta për sektorin privat dhe ka futur rregullore të rënduara mjedisore.

“Amerikanët po e marrin këtë goditje, sepse administrata e Bidenit në thelb i ka shpallur luftë energjisë së përballueshme dhe të bollshme amerikane.”- tha Dan Kish, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Kërkime të Energjisë për tregun e lirë.

Çmimi mesatar i benzinës në mbarë vendin u rrit në 3.87 dollarë për gallon të enjten, duke zgjatur një varg shumëjavor të rritjeve të çmimeve. Çmimet e naftës në SHBA dhe në mbarë botën kanë lëvizur gjithashtu në rritje ditët e fundit.

Dhe Shoqata Kombëtare e Drejtorëve të Asistencës për Energjinë parashikoi në shtator se kostoja mesatare e ngrohjes së shtëpive në SHBA për të gjitha karburantet, duke përfshirë gazin, vajin për ngrohje dhe propanin – do të rritet me 17.2% këtë dimër krahasuar me vitin e kaluar.

Kjo do të detyronte miliona familje me të ardhura më të ulëta të zgjedhin mes pagesës për ngrohje, ushqim, ilaçe dhe qira. Çmimet e gazit natyror janë rritur në nivele shumë më të larta se tendencat historike gjatë disa muajve të fundit.

E ndërsa administrata ka kërkuar të kufizojë prodhimin vendas të naftës dhe gazit, ajo është kthyer te regjimet e huaja, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Venezuelën. Pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) e udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi një ulje të madhe të prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë të mërkurën, Biden shprehu zhgënjimin.

“Presidenti është i zhgënjyer nga vendimi dritëshkurtër i OPEC+ për të ulur kuotat e prodhimit, ndërkohë që ekonomia globale po përballet me ndikimin e vazhdueshëm negativ të pushtimit të Ukrainës nga Putini.”- tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë pas njoftimit. Pra praktikisht Biden po kritikon të tjerët për veprime që i ka bërë vetë.