Vendosni fjalën kyçe....

Kapen në një lokal në Fier 18 mijë euro, klientit i gjenden në shtëpi 6.5 kg kanabis, arrestohen 3 persona


Një person është arrestuar në Fier pasi kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave.

Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.

Përveç administratorit të lokalit në pranga u vu edhe një shtetas që u gjet në lokal, i cili dyshohet se furnizonte pronarin e lokalit, me lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Gjithashtu, në pranga është vënë edhe kamarieri i lokalit, për moskallëzim krimi.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal ushtrohej veprimtaria e shitjes së lëndëve narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”;

-L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Gj., në të cilin ndodheshin edhe shtetasit L. G. (i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit) dhe D. Ll. (i punësuar si kamarier), u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa”-njofton policia.