Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Bosnjë Hercegovinë, kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në Republikën Sërpska


Disa qindra persona në Bosnjë e Hercegovinë iu bashkuan protestës së opozitës më 6 tetor, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 2 tetor. Protestuesit pretenduan se lideri i serbëve të Bosnjës, ka manipuluar rezultatet në të mirë të tij.

Duke brohoritur slogane kundër liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, protestuesit bllokuan qarkullimin në qendër të Banja Llukës, qytetit kryesor në pjesën e Bosnjës që kontrollohet nga serbët.

Ata kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve për postin e presidentit në entitetin e Republikës Sërpska.

Autoritetet zgjedhore në Bosnje kanë thënë se Dodik ka fituar më së shumti vota në garën për president në Republikën Sërpska. Por, opozita pretendon se ai ka orkestruar një mashtrim, për të parandaluar që kundërshtarja kryesore e tij, Jellena Triviç, të fitojë zgjedhjet.

“Ne duam që të hapen kutitë e votimit dhe të dihet e vërteta, në mënyrë që njerëzit të dinë pse u vodhën votat dhe përgjegjësit për këto vjedhje të dalin para drejtësisë”, tha lideri opozitar, Branisllav Borenoviç “Jellena Triviç është presidentja e re e Republikës Sërpska”, shtoi ai.