Vendosni fjalën kyçe....

Çmimin Nobel për mjekësi e fiton suedezi Svante Paabo


Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi i ka shkuar suedezit Svante Paabo për punën e tij mbi evolucionin njerëzor.

“Ai ka mbetur pa fjalë, ka qenë shumë i lumtur.”- ka thënë Thomas Perlmann, Sekretari i Komitetit të Nobelit në fushën e mjekësisë, i cili ia ka kumtuar Paabos lajmin.

Komiteti i Çmimit tha se ai arriti detyrën në dukje të pamundur për të thyer kodin gjenetik të një prej të afërmve tanë të zhdukur – Neandertalit.

Puna e tij ndihmoi në eksplorimin e historisë sonë evolucionare dhe mënyrën se si njerëzit u përhapën nëpër planet.

Siç shkruan BBC, puna e gjenetistit suedez hyn në thelbin e disa prej pyetjeve më themelore – nga vijmë dhe çfarë na lejoi ne, Homo sapiens, të kishim sukses ndërsa të afërmit tanë u zhdukën.

Në vitet 1990, kërkimet mbi përpunimin e kodit gjenetik të njeriut po zhvilloheshin me ritëm. Por kjo mbështetej në mostrat e freskëta të ADN-së së pacenuar.

Interesi i Prof Paabo ishte në materialin gjenetik të vjetër, të degraduar dhe të kontaminuar nga paraardhësit tanë. Shumë menduan se ishte një sfidë e pamundur. Por ai ishte, për herë të parë, në gjendje të renditte ADN-në nga një copë kocke 40 mijë -vjeçare.

Këto rezultate treguan se Neandertalët të cilët kryesisht jetonin në Evropë dhe Azinë Perëndimore ishin të ndryshëm nga njerëzit e sotëm dhe shimpanzetë.

Puna e tij u fokusua tek homininët – grupi i njerëzve modernë që na përfshin ne, Homo sapiens, por edhe të afërmit tanë të zhdukur.

“Duke zbuluar dallimet gjenetike që dallojnë të gjithë njerëzit e gjallë nga homininët e zhdukur, zbulimet e tij ofrojnë bazën për të eksploruar atë që na bën neve në mënyrë unike njerëzore.”- tha komiteti Nobel.

Krahasimet e mëtejshme midis ADN-së së Neandertalit dhe njerëzve nga e gjithë bota treguan se ADN-ja e tyre ishte më e afërt me njerëzit që vinin nga Evropa ose Azia.

Kjo na tregon se Homo sapiensët kishin marrëdhënie seksuale dhe fëmijë me Neandertalët pas migrimit nga Afrika rreth 70 mijë vjet më parë.

Dhe ju ende mund ta shihni trashëgiminë e kësaj sot. Midis 1-4% e ADN-së moderne njerëzore vjen nga të afërmit tanë neandertal dhe kjo madje ndikon në aftësinë e trupit tonë për t’iu përgjigjur infeksionit.