Vendosni fjalën kyçe....

Ishte marrë peng nga shtetas të tjerë shqiptarë dhe kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij, lirohet 30-vjeçari në Angli


Një 30-vjeçar nga Shqipëria ishte marrë peng në Angli nga shtetas të tjerë shqiptarë.

Pengmarrësit kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij. Policia britanike në bashkëpunim me atë shqiptare në sajë të shkëmbimit të informacionit kanë bërë të mundur lirimin e 30-vjeçarit dhe arrestimin e 7 shtetasve të tjerë shqiptarë.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet një tjetër operacion policor ndërkombëtar, për lirimin e një personi të marrë peng nga disa persona të tjerë.

Operacioni policor i koduar “Pengu”, u zhvillua nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Metropolitan Police dhe asistencën e NCA-së Britanike.

Shkëmbimi në kohë i informacionit bëri të mundur gjetjen dhe lirimin e 30-vjeçarit nga Shqipëria, i cili ishte marrë peng në Angli, nga shtetas shqiptarë te evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli.

Policia britanike ka vënë në pranga 7 shtetas shqiptarë dhe vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Strukturat hetimore të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion se një 30-vjeçar shqiptar, ishte marrë peng në Angli nga persona, me aktivitet kriminal, të cilët kërkonin 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij.

Policia e Shtetit shkëmbeu menjëherë me Policinë Britanike, informacionin e marrë, falë të cilit, Policia britanike zhvilloi operacionin policor të koduar “Pengu”.

Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja dhe lirimi i personit të marrë peng, i cili tashmë ndodhet i sigurtë pranë autoriteteve policore britanike.

Po në kuadër të operacionit u vunë në pranga 7 shtetas shqiptarë që kishin marrë peng 30-vjeçarin.

Operacioni është në vijim dhe për këtë arsye nuk bëhen publike të dhënat e personit të marrë peng dhe të personave të arrestuar, deri në përfundim të operacionit.

Finalizimi i këtij operacioni është rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Autoriteteve Ligjzbatuese Britanike.