Vendosni fjalën kyçe....

Disa burra dalin vullnetarë të luftojnë në Ukrainë për të shpëtuar nga gratë – Kryebashkiaku rus


Një e dhjeta e burrave në Rusi që janë vullnetarë për konfliktin me Ukrainën po e bëjnë këtë për t’u shpëtuar bashkëshorteve të tyre, ka pohuar kryebashkiaku i qytetit Vorkuta, Yaroslav Shaposhnikov.

“Rreth 10% e vullnetarëve që shkojnë në vijën e parë shkojnë atje, sepse gratë e tyre ndoshta janë mësuar me një jetë të mirë dhe po i bezdisin, bezdisin e bezdisin.” – tha Shaposhnikov gjatë një paneli diskutimi në internet, ‘Open Vorkuta’.

Zyrtari u bëri thirrje grave ruse që të sigurojnë mbështetje për burrat e tyre. Shaposhnikov, megjithatë, nuk e shtjelloi se ku bazohej vlerësimi i tij prej 10%.

Video e takimit është postuar në rrjetet sociale nga kryebashkiaku, e cila është bërë virale dhe ka marrë një mbulim të gjerë mediatik. Mes valëve talljeje, Shaposhnikov mbrojti komentet e tij, duke thënë se komentet e tij u morën jashtë kontekstit nga media.

“Unë jam patriot. Nuk mund të them objektivisht se si duket vërejtja nga jashtë. Fjalët u nxorrën jashtë kontekstit, madje disa dhanë interpretimin e tyre. Duhet ta shikoni videon e plotë, por në përgjithësi, unë i qëndroj qëndrimit tim. Gruaja është mbështetja e një burri dhe ajo duhet ta bëjë këtë në çdo gjendje.” – tha ai për median Podyem.

Rusia shpalli një mobilizim të pjesshëm në fillim të këtij muaji për të forcuar ushtrinë e saj në konfliktin me Ukrainën, pas sulmit ndaj saj në fund të shkurtit. Aktualisht, Moska po kërkon të mobilizojë 300,000 burra, duke u fokusuar tek ata që kanë shërbyer në ushtri dhe kanë përvojë të mëparshme luftarake.