Vendosni fjalën kyçe....

“Faleminderit SHBA që dëmtove tubacionet e gazit”/ Maria Zakharova: Deklarata e eurodeputetit polak të çon të mendosh se ky është sulm terrorist


Zëdhënësja zyrtare e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka reaguar pas deklaratave nga zyrtarët evropianë lidhur me rrjedhjet e gazit në tubacionet e gazsjellësit rus Nord Stream 1 dhe 2.

Zakharova beson se deklarata e ish-ministrit të jashtëm të Polonisë, i cili falënderoi Shtetet e Bashkuara për dëmin e shkaktuar në gazsjellësin rus Nord Stream 2, mund të shihet si një deklaratë zyrtare se ky është një sulm terrorist.

“Ish-ministri i Jashtëm polak, tani deputeti evropian Radek Sikorski ka falënderuar SHBA-në për incidentin e sotëm në gazsjellësin rus (Rrjedha veriore 2). A është një deklaratë zyrtare se ky është një sulm terrorist?”– shkroi Zakharova në Telegram të martën, citon TASS.

Ky reagim vjen pasi në një postim në “Twitter”, eurodeputeti polak Radoslaw Sikorski aludoi se SHBA-ja kishte shkaktuar qëllimisht dëme në tubacionin e gazit Nord Stream.

Ai ndau një fotografi të rrjedhjes së gazit, duke e shoqëruar me tekstin “Faleminderit, SHBA”.

Sikorski komentoi se të gjitha shtetet e Ukrainës dhe të Detit Baltik e kanë kundërshtuar ndërtimin e Rrjedhës së Veriut për 20 vjet, duke shtuar se “logjika e vetme e Rrjedhës së Veriut ishte që Putini të ishte në gjendje të shantazhonte ose të bënte luftë në Evropën Lindore pa u ndëshkuar”.

“Tani 20 miliardë dollarë skrap metali shtrihet në fund të detit, një tjetër kosto për Rusinë e vendimit të saj kriminal për të pushtuar Ukrainën.”- tha ai.

Të hënën, tre rrjedhje u raportuan në tubacionet Nord Stream dhe Nord Stream-2 brenda disa orësh nga njëra-tjetra. E para prej tyre u zbulua në Nord Stream 2 pranë ishullit danez të Bornholm. Më pas, dy rrjedhje u zbuluan në Nord Stream. Agjencia daneze e energjisë raportoi se një sasi e madhe gazi ka rrjedhur në det. Avionët dhe anijet janë urdhëruar të qëndrojnë të paktën pesë milje detare larg nga vendi i incidentit.

Sizmologët suedezë më vonë thanë se kishin regjistruar dy shpërthime përgjatë rrugëve të gazsjellësit të hënën, çka ngre dyshime se incidentet ishin të qëllimta.