Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët nën ‘presion’ për të autorizuar analiza, por koncesioni i Laboratorëve raportoi normë fitimi 19% më 2021


Që kur hyri në fuqi kontrata me Partneritet Publik -Privat e shërbimit laboratorik në spitalet publike, mjekët dhe infermierët janë në presion për sasinë dhe llojin e analizave, të cilat tashmë kanë një kosto tjetër pasi kryhen nga një kompani private që ka marrë shërbimin me koncesion PPP.

Mjekët në Qendrën Spitalore, Nenë Tereza pohuan se, janë në presion për të autorizuar me pak analiza, por profili i punës në këtë spital kërkon që analizat për pacientët e shtruar të jenë të shpeshta për te vëzhguar ecurinë e pacienteve dhe në bazë të tyre ndryshohen edhe mjekimet.

Por teksa stafet mjekësore në QSUT janë në presionin e administratorëve që të autorizojnë sa më pak analiza, kompania “Laboratory Network” që ofron shërbimin laboratorik raportoi norma fitimi të larta për tregun shqiptar.

Të ardhurat e kompanisë sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2021, ndërsa fitimi para taksave ishte 233 milionë lekë.

Norma fitimit për koncesionin e laboratorëve ishte 19 % më shumë se, dyfishi i normës së fitimit mesatare në tregun shqiptar.

Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë bizneset më suksesshme në vendin tonë. Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve. Të ardhurat e kompanisë Laboratory Network janë sa 12 për qind e fondeve që qeveria shqiptare ka vene në dispozicion të rimbursimit të medikamenteve.

Mënyra se si qeveria i ka prioritizuar fondet e shëndetësisë tregon dobësitë e forta të sistemit. Psh kostot e sterilizimit të sallave të operacionit që kryhen me koncesion PPP janë më të larta se kostot e trupës mjekësore që kryen ndërhyrjen.

Sakaq, koncesionet në shëndetësi janë duke u hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK), por ende nuk ka rezultate.

Koncensioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë ose rreth 106 milionë euro dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shteti gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro.

KLSH konstatoi se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor