Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kopjon Ramën, u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve live në “Facebook”, por me Floriana Garon “asistente”


 

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka nisur sot një bashkëbisedim online përmes rrjeteve sociale, me ndjekësit e tij. Diçka që kryeministri Edi Rama e bën rregullisht prej vitesh tashmë.

Por ndryshe nga Rama, Berisha ka një asistente gjatë këtij komunikimi. Floriana Garon e cila lexon pyetjet që ndjekësit i drejtojnë kryedemokratit.

“Mirëdita dhe përshëndetje! Së pari dua t’u falenderoj nga zemra të dashur miq për gatishmërinë dhe interesin tuaj në këtë bashkëbisedim tonin, i cili është për mua një moment i veçantë dhe special, pasi rrjetet sociale kanë qenë dhe mbeten gjithnjë, ndofta mënyra më intensive e komunikimit tim me ju.

Sot sëbashku do komunikojmë, do përgjigjem dhe mirëpres me kënaqësi çdo pyetje, por edhe propozim e sugjerim nga ju në këtë bisedë në Facebook e Instagram.”- tha Berisha para se të niste t’u përgjigjej komentuesve.

 

Kur nisin protestat

I pyetur se kur do të fillojnë protestat e paralajmëruara disa herë, Berisha u përgjigj se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

“E vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit, të varfrit po bëhen gjithnjë e më të varfër.

Edi Rama, votën nuk e pranon dhe gjithë ky zhvillim dramatik, kjo përmbysje në përbërjen e shtresave të shoqërisë sonë, ka si shkak më themelor, mospranimin e votës nga Edi Rama.

Protesta janë rruga për të cilat është përcaktuar Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.

Ju garantoj se do të fillojnë shumë shpejt. Mund të jenë shtyrë, por edhe shtyrja e tyre bëhet për shumë aspekte, e padurueshme.

Protestat e gjithanshme do jenë rrugë për të rikthyer në Shqipëri, shpresën, votën e lirë dhe për të dalë nga ky regjim absolutar, sot i vetmi në Europë pas atij të Putinit dhe Lukashenkos.”– tha Berisha.

Votat e diasporës

Berisha tha se do bëjë gjithçka që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Kështu tha ai pasi u pyet për këtë nga një qytetar.

“Ne do bëjmë gjithçka që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Por do bëjmë gjithçka për një bashkëpunim sa më të ngushtë me diasporën shqiptare.

Do krijojmë të gjitha mundësitë që diaspora të investojë në Shqipëri, të angazhohet në institucionet administrative, zyrtare politike të vendit.

E konsiderojmë diasporën një faktor madhor për një Shqipëri të zhvilluar me një të ardhme të sigurtë.”– u përgjigj ai.