Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Vaut të Dejës në protestë pas përmbytjeve: Dëmet janë kolosale, kryetari i bashkisë më nxori jashtë


Janë ngritur sot në protestë banorët e Vaut të Dejës si pasojë e përmbytjeve të ditëve të fundit. Ata pretendojnë se kanë pësuar dëme të shumta, pasi uji u ka hyrë brenda në banesa duke shkatërruar çfarë kishin brenda.

“Dëmet janë kolosale. Uji ka hyrë në shtëpia, ka shkatërruar çdo gjë. Dy javë mbas përmbytjes s’ka asnjë reagim. Jemi të rrezikuar në momentin e parë që bie shi. Nuk është marrë asnjë masë, institucionet të reagojnë. Familjet mund të zhduken së bashku me banesat.”- tha një banor.

Në një prononcim për “News 24”, një banor u shpreh se kishte shkuar në zyrën e kryetarit të bashkisë, por ai e kishte nxjerrë jashtë.

“Uji ka hyrë në shtëpi dhe ka shkatërruar gjithçka. Kam shkuar edhe në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe më ka thënë kush je ti? Nuk ke mundësi të më takosh. I kam thënë se kam shkuar të ankohem për dëmet ekonomike që kam pësuar, por ai më ka nxjerrë nga zyra.

Ka njoftuar policinë bashkiake dhe më ka nxjerrë jashtë. ka mbi 10 familje që zhduken nga faqja e dheut nëse nisin shirat. Duam që qeveria të marrë masa.”- tha banori.

Ndërsa dimri është ende para, banorët jetojnë në frikë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e bashkisë dhe institucioneve të tjera për përmirësimin e situatës për mbrojtjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre.