Vendosni fjalën kyçe....

Putin urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rezervistëve, Moska zbulon numrin e ushtarëve të rënë në Ukrainë


Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi këtë mëngjes një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve në Rusi, në një masë që në mediet perëndimore është konsideruar si një pranim se lufta e Moskës kundër Ukrainës nuk po shkon sipas planit.

Udhëheqësi rus, në një fjalim televiziv drejtuar kombit paralajmëroi gjithashtu Perëndimin se ai nuk po bën blof mbi përdorimin e të gjitha mjeteve në dispozicion për të mbrojtur territorin e Rusisë, në atë që dukej të ishte një referencë e armëve bërthamore.

Pas fjalimit të Putinit, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu doli duke thënë se Rusia do të marrë 300 mijë rezervistë për të mbështetur fushatën e saj ushtarake në Ukrainë.

Në përditësimin e parë të Moskës mbi numrin e viktimave në pothuajse gjashtë muaj, Shoigu tha se 5 mijë e 937 ushtarë rusë ishin vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Siç shkruan Reuters, Shoigu hodhi poshtë pohimet e Kievit dhe Perëndimit se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushatën e saj shtatëmujore dhe tha se 90% e ushtarëve rusë të plagosur ishin kthyer në vijën e frontit.

Kjo ishte hera e parë që Rusia jepte një numër zyrtar të vdekjeve që nga 25 marsi, kohë kur tha se 1 mijë e 351 ushtarakë kishin vdekur.

Por Pentagoni i SHBA-ve beson se numri është më i lartë. Në gusht Pentagoni tha se besonte që një numër midis 70-80 mijë personel rus ishin vrarë ose plagosur, dhe në korrik vlerësoi se numri i të vdekurve të Rusisë ishte rreth 15 mijë.

Shoigu tha se Rusia kishte 25 milionë luftëtarë të mundshëm në dispozicion.

Dekreti i publikuar në faqen e internetit të Kremlinit thoshte se thirrja do të zbatohej vetëm për rezervistët me përvojë të mëparshme ushtarake.

Shoigu tha se kjo nënkuptonte rreth 300 mijë burra. Ai tha se atyre do t’u jepej trajnim shtesë përpara se të dërgoheshin në Ukrainë dhe se nuk do të përfshinin studentët ose ata që aktualisht po shërbenin si rekrut.