Vendosni fjalën kyçe....

Endrit Dokle dëshmoi në polici për zhdukjen e Ervis Martinajt: Nuk kam lidhje me ngjarjen, s’kam asnjë konflikt me të


Zhdukja e Ervis Martinajt që prej fillim gushtit ka bërë që organet ligjbaztuese të vihen në lëvizje për të marrë sa më shumë të dhëna që të zbulojnë ngjarjen.

I pari që u mor në pyetje nga hetuesit për zhdukjen e Ervis Martinajt ishte babai i tij, Mustafa Martinaj. Ai tha se kishte humbur kontaktet me të birin, natën kur në telefonin e vëllait të tij Faikut, kishte mbërritur një mesazh nga Dubai.

Atë e niste “një mik që u donte të mirën”. Por babai i Ervis Martinaj nuk thotë në ç’mënyrë i mbante kontaktet me të birin, e shpallur në kërkim. Për zhdukjen ai akuzon në polici, Endrit Doklen dhe Nuredin Dumanin.

“Herën e fundit me Ervisin ka kontaktuar një njeri i afërt. Kontaktet me djalin i kam humbur më datë 9 gusht ora 19:30. Pas kësaj ore, ai nuk ka qenë në linjë. Zhdukja e tij sipas mendimit tim i takon orës 19:30 deri në orën 22:00 të datës 9 gusht 2022. Nuk kam asnjë dijeni për vendin dhe njerëzit që kanë marrë pjesë në rrëmbimin e tij. I afërmi që ka kontaktuar djalin nuk ndodhet në Shqipëri dhe mesa kam dijeni Ervisi nuk ka numër shqiptar.

Zanafilla e kësaj ngjarje lidhet me shpalljen e Ervisit në kërkim për krime të trilluara nga Nuredin Dumani. Sqaroj se ndërprerjen e komunikimit dhe të zhdukjes së djalit i kam marrë vesh nga i afërmi im i cili jeton jashtë shtetit. Dyshoj se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale” – ka thënë para hetuesve Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj.

Mbështetur në dëshmitë e familjarëve grupi hetues mori në pyetje edhe Endrit Doklen. Ky person doli edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit që tha se ka qenë objektiv i shënjestrës së Martinajt. Por Dokle, ashtu siç pritej, mohoi të kishte lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj” – është shprehur Dokle.

Sipas dosjes hetimore shfaqja e fundit publike e Martinaj, daton të jetë më 9 gusht në Tiranë. Kjo në ambientet e një qendre tregtare pranë Zogut të Zi. Vetëm disa ditë pasi ai ishte parë të lëvizte i lirë në Durrës.

Nga data 9 gusht, kur ai shfaqet në Tiranë dhe deri më 10 gusht që përkon me kallëzimin për zhdukjen e tij, nuk ka më asnjë shenjë.

Për fatin e një personazhi jo të zakontë, të ashtëquajtur “Mbreti shqiptar i lojërave të Fatit”, nga data 11 gusht prokuroria ka regjistruar edhe një vepër penale për “rrëmbim personi”.

Në të gjithë këtë histori, ato që nuk kishin si të mungonin, janë padyshim, teoritë konspirative. Një ndër to është edhe ekzistenca e një video, në pamjes e së cilës shfaqet trupi i copëtuar i Ervis Martinaj.
Një video që thuhet se qarkullon dorë më dorë, por që askush deri më sot nuk e ka parë. As vetë autoritetet ligjzbatuese që mund të konfirmonin vërtetësinë e saj.