Vendosni fjalën kyçe....

“Fokusi tek shqetësimi amerikan për influencat ruse” – Gjiknuri, Tabaku e Kryemadhi flasin pas takimit në KQZ me ambasadoren Kim


 

Pas takimit në KQZ me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe përfaqësuesit e tjerë të partive politike, kanë folur për për mediet këta të fundit.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri pranoi se fokusi i diskutimit ishte mbi raportin e bërë publik një ditë më parë mbi financimin e partive politike apo organizatave të ndryshme nga Rusia.

“Jemi të angazhuar ndaj çdo lloj akti që tashmë disa prej tyre janë bërë publike, siç është ai i Komunitetit të Inteligjencës. Duhet të marrim shembull se si ne partitë politike të mos përfshihemi në këto financime. Këto janë gjera teknike që do i bëjmë në vijim. Do të forcohen dispozitat për fushatën zgjedhore.

Fokusi ishte shqetësimi që kanë aleati jonë, SHBA për përfshirjen e influencave të huaja, kryesisht ruse, në partitë politike, por dhe organizmave mediatike. Nuk ishte biseda teknike, apo masat që do merren. U transmetua shqetësimi që u nis nga raporti i fundit. Këto shqetësime janë reale që këto gjëra mos të përsëriten në të ardhmen.”– tha Gjiknuri.

Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku pas takimit me ambasadoren tha se: “është momenti për të bërë transparencë e para e së dyti për të qenë larg influencave që nuk duhet të harrojmë se ekzistojnë nga Kina, Rusia apo Irani”.

Por shtoi se detajet e diskutimeve të tyre do bëhen me dije nga ambasada.

Në daljen e saj për mediet, Monika Kryemadhi theksoi se ligji për financimin e partive politike ka nevojë për shqyrtim. Ajo tha se të gjitha partitë duhet të marrin shembull tek Partia e Lirisë, apo ish-LSI, që sipas saj i deklaron gjithë financuesit me emër e mbiemër.

 “Është bërë emergjente ngritja e barrierave për mosdepërtimin e financimeve ruse që cënojnë sigurinë e Shqipërisë, aq më shumë në situatën ku gjendemi. mendoj që kjo është ajo që kemi ngritur me kohë. Ka më shumë se 6 vite që flas për influencën ruse në vend. Por më mirë vonë se kurrë. ka ardhur koha që dy paritë e tjera të marrin eksperiencën e LSI apo Partisë së Lirisë sot, që të gjithë donatorët t’i kenë me emër dhe mbiemër donatorët. Ligji për financimin e partive politike ka nevojë për rishikim. Duke e bërë burokratike stimulohen më shumë paratë e pista. Përgëzoj takimin me Kim dhe bashkëpunimi i gjithë partive të vijojë edhe më tutje. Ka një proces që do vazhdojë të hetohet dhe do hetohet edhe jashtë Shqipërisë. Kush e ka gëlltitur lugën e çorbë së prishur ka për të vjedhur gjithë jetën.”– tha Kryemadhi.