Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Ibrahimaj: Do indeksojmë përsëri pensionet brenda vitit


Në seancën e sotme plenare, ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar paketën e re antikrizë.

Ajo tha se qeveria ka vendosur indeksimin e pensioneve për të dytën herë brenda vitit.

“Gjëja e parë, apo masa e parë që ne do të marrim është indeksimi për herë të dytë i pensioneve, gjatë këtij viti. Në fakt këtu u tha pak më parë se indeksimi i pensioneve është detyrim dhe është brenda procesit buxhetor të çdo viti.

Po është e vërtetë, është detyrim një herë në vit me indeksin e çmimeve të konsumit mesatar të një viti më parë. Ky është detyrimi që ne kishim këtë vit, që jo vetëm ne e kryem që në muajin Mars, duke filluar efektet që në muajin Prill, por nuk mbajtëm mesataren e 12 muajve të vitit të mëparshëm por mbajtëm mesataren e 12 muajve deri në muajin shkurt, që indeksimi të ishte në një vlerë më të lartë me qëllim që të ndihmonim 673 mijë pensionistët që po vuanin nga pasojat e krizës që sapo kishte filluar.

Ne sot kemi vendosur që do të marrim një masë ekstra, që do të indeksojmë ekstra përvec 3.3% të muajit mars, me 6%, duke e çuar masën e indeksimit në rreth 9.5% për të gjithë pensionistët shqiptarë. Dhe kjo siç thashë ka një efekt në buxhedtin e shtetit me rreth 2 miliardë lekë dhe ka një efekt në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm me 8.4 miliardë lekë. “- tha Ministrja.

Ajo tha gjithashtu se paketa e re përfshin rritje të ndihmës ekonomike, rritje të pagës minimale deri në 34 mijë lekë, si dhe rritje page deri në 7% për punonjësit e administratës publike dhe Policisë së Shtetit.