Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini vlerëson faktin që Joe Biden nuk e njeh Rusinë si “sponsor shtetëror të terrorizmit”


Kremlini vlerëson pozitivisht faktin se presidenti amerikan Joe Biden është shprehur kundër njohjes së Rusisë si shtet sponsorizues i terrorizmit.

“Vetë formulimi i çështjes (të njohjes së Rusisë si një sponsor shtetëror i terrorizmit) është monstruoz. Dhe, natyrisht, është mirë që presidenti amerikan u përgjigj në këtë mënyrë.”- tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, citon TASS. Sipas tij, “edhe të bësh një pyetje të tillë është diçka shumë e vështirë për t’u kuptuar”.

I pyetur nëse fjalët e Bidenit mund të shihen si një zbutje e retorikës anti-ruse të SHBA-ve, zëdhënësi i Kremlinit tha se “vështirë se mund të jetë një arsye për vlerësime të tilla”.

Peskov gjithashtu nuk bëri asnjë lidhje midis fjalëve të Bidenit dhe punës së misionit të IAEA-s në termocentralin bërthamor Zaporozhye.

Të hënën, korrespondenti i Reuters, Jeff Mason, raportoi në llogarinë e tij në “Twitter” se Biden tha “JO” kur u pyet nëse mendonte se Rusia duhet të shtohej në listën amerikane të shteteve sponsorizuese të terrorizmit.

Më 27 korrik, Senati amerikan miratoi një rezolutë që i kërkon Departamentit të Shtetit të njohë Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit. Dokumenti citon ngjarjet në Gjeorgji, Siri, Çeçeni dhe Ukrainë si arsye për vendimin. Më herët, Kievi i bëri thirrje Uashingtonit që të vendoste Rusinë në listë. Më 28 korrik, një grup kongresmenësh nga të dyja partitë njoftuan synimin e tyre për të paraqitur një dokument të ngjashëm në Dhomën e Përfaqësuesve. Lista mund të përfshijë shtete të cilat, sipas Uashingtonit, “kanë mbështetur në mënyrë të përsëritur aktet e terrorizmit ndërkombëtar”.

Administrata e SHBA ka autoritet të gjerë për të vendosur sanksione ndaj atyre vendeve të listuara. Departamenti Amerikan i Thesarit mund të marrë masa kundër atyre subjekteve dhe individëve, si dhe shteteve që bëjnë tregti me vendet në listë. Aktualisht kjo listë përfshin Iranin, Korenë e Veriut, Kubën dhe Sirinë.